E Hënë, 2 Nëntor 2026

TEL AVIV – Netanyahu: Izraeli përballet me “izolim” ndërkombëtar në rritje për shkak të luftës në Gazë

TEL AVIV, 15 shtator /ATSH-DPA/- Me zemërimin global në rritje për shkak të luftës gati 2-vjeçare në Gazë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi sot se Izraeli po përballet me një “lloj izolimi” që mund të zgjasë me vite dhe nuk ka zgjidhje tjetër veçse të qëndrojë më vete, sipas CNN.

Duke folur në një konferencë të Ministrisë së Financave, Netanyahu tha se ekonomia e Izraelit do të duhet të përshtatet me “karakteristikat autarkike” – duke u bërë më e vetëmjaftueshme dhe më pak e varur nga tregtia e jashtme.

“Është një fjalë që e urrej”, tha Netanyahu, duke shtuar se ishte ai që kishte sjellë një “revolucion të tregut të lirë në Izrael”.

“Një nga industritë kryesore që përballet me izolimin është tregtia e armëve, e cila mund ta detyrojë Izraelin të shmangë varësinë nga importet e armëve të huaja”, tha ai.

“Do të na duhet të zhvillojmë industrinë tonë të armëve – do të jemi Athina dhe super Sparta së bashku. Nuk kemi zgjidhje tjetër, të paktën për vitet e ardhshme kur do të na duhet të merremi me izolimin”, tha Netanyahu.

Deklarata e Netanyahut shënon “një pranim të rrallë” të kritikave masive ndërkombëtare me të cilin përballet Izraeli – ndërsa përshkallëzon luftën e tij në Gazë.

Ai ka refuzuar të ndryshojë kursin, pavarësisht paralajmërimeve nga Kombet e Bashkuara dhe vendet e tjera – sipas të cilave një sulm i afërt ndaj Qytetit të Gazës do të çonte në më shumë vdekje dhe shkatërrime, dhe mes akuzave në rritje se Izraeli po kryen gjenocid në enklavë, të cilën Izraeli e ka mohuar fuqimisht.

Izraeli tani përballet me embargo të pjesshme ose të plota armësh nga Franca, Holanda, BM-ja, Spanja, Italia dhe vende të tjera për shkak të luftës në Gazë.

Megjithatë, shumica e importeve të armëve të saj vijnë nga SHBA-ja, të cilat nuk kanë vendosur kufizime të tilla – dhe i kanë paralajmëruar vendet e tjera të mos e bëjnë këtë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›