TURQI – Erdogan sinjalizon takim dypalësh me Trump në samitin e NATO-s në Ankara

STAMBOLL, 24 qershor /ATSH/- Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi sot se ka shumë gjasa të zhvillojë një takim dypalësh me presidentin amerikan, Donald Trump, gjatë samitit të NATO-s, që do të mbahet në Ankara më 7-8 korrik, raportoi “Reuters”.
Turqia do të presë liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s, si dhe përfaqësues të vendeve partnere nga Gjiri dhe rajoni Azi-Paqësor.
Samiti zhvillohet në një periudhë tensionesh brenda aleancës, lidhur me ndarjen e barrës së mbrojtjes, rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe ankesat e SHBA-së, për angazhimin e aleatëve, në çështje që lidhen me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit gjatë konfliktit SHBA-Iran.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në parlament, Erdogan tha se një takim i veçantë me Trump jashtë agjendës së samitit “ka shumë gjasa të ndodhë”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Presidenti turk ka theksuar më herët se, pjesëmarrja e Trump në samit është e rëndësishme për të demonstruar unitetin e NATO-s.
Marrëdhëniet mes dy liderëve janë afruar që prej rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, me bashkëpunim më të ngushtë në çështje rajonale dhe zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve të hershme, përfshirë çështjen e bankës shtetërore turke “Halkbank”.
Ndërkohë, drejtori i komunikimit i presidencës turke, Burhanettin Duran, tha se ndarja e barrës financiare brenda NATO-s, do të jetë një nga temat kryesore të samitit, në Ankara.
“Sistemi i ri i sigurisë po i nxit aleatët e NATO-s, të rishqyrtojnë shpenzimet e tyre të mbrojtjes. Në këtë kuadër, Turqia synon të arrijë objektivin prej 3,5% plus 1,5% të PBB-së deri në fund të vitit 2030”, u shpreh ai.
Në samit do të marrin pjesë gjithashtu përfaqësues të “Nismës së Bashkëpunimit të Stambollit”, si dhe Japonia, Zelanda e Re, Koreja e Jugut dhe Australia, të njohura si grupi “Katërshja Indo-Paqësore (IP4). //a.i/