TURQI – Mbi 300 të arrestuar në protestat mbarëkombëtare

STAMBOLL, 22 mars /ATSH-DPA/- Autoritetet turke arrestuan mbi 300 persona gjatë protestave mbarëkombëtare të së premtes lidhur me një hetim të diskutueshëm ndaj kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu, rivali kryesor i presidentit Recep Tayyip Erdogan, tha sot qeveria.
Turqia është përfshirë nga protesta masive që kur politikani popullor opozitar Imamoglu dhe disa nga ndihmësit e tij u arrestuan të mërkurën për akuza për korrupsion dhe terror.
Qeveria u përgjigj me masa të rrepta sigurie dhe ndaloi tubimet në katër qytete të mëdha, përfshirë Ankaranë dhe Stamboll, për të frenuar protestat.
Gjithsej 343 persona u arrestuan dje në mbrëmje në demonstratat në nëntë qytete, duke përfshirë Stambollin dhe Ankaranë, shkroi ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya në X.
Yerlikaya akuzoi protestuesit se po përpiqeshin të prishnin rendin publik dhe të provokonin kaos.
“Ndërkohë, 56 persona janë arrestuar veçmas për shkak të dyshimeve për nxitje të trazirave përmes postimeve në mediat sociale”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu.
Protestat vijnë mes një hetimi të gjerë për korrupsion dhe terrorizëm ndaj Imamoglu dhe 105 të dyshuarve të tjerë.
Imamoglu, Partia Popullore Republikane (CHP) e të cilit po përgatitet ta emërojë atë si kandidatin e tyre presidencial të dielën, ka mohuar çdo keqbërje dhe e ka përshkruar arrestimin e tij si politikisht të motivuar. //a.i/