E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tabaku: Amnistia e mazhorancës për gjobat, për efekt elektoral

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh sot se mazhoranca po propozon amnisti për gjoba për efekt elektoral.

Në një videomesazh në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se shteti nuk mund të ndërtohet me dhunë siç ka vepruar PS në këto 11 vite, polici apo forcë, por përmes zbatimit të drejtë të ligjit dhe krijimit të një sistemi të ndershëm për të gjithë.

“Filozofia e tyre për të bërë shtetin është përmes gjobave të larta, të cilat shpesh janë jashtëzakonisht disproporcionale me të ardhurat e qytetarëve. Nga ligji për mbetjet, te ai për të dhënat personale, mjedisin, turizmin dhe sigurinë ushqimore, gjithçka bazohet te ndëshkimi i të dobtëve, ndërsa të fortët shpëtojnë pa pasoja, ” tha Tabaku.

Duke marrë shkasë nga amnistia e debatuar por që ende nuk është një propozim ligjor nga mazhoranca socialiste, Tabaku solli në vëmendje se si socialistët amnistuan pa gjoba ndërtimet pa leje në qendër të Tiranës, duke përmendur shembuj të pallateve shumëkatëshe që janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme pa u ndëshkuar.

“Ata janë të fortë me të dobëtit dhe të dobët me të fortët. Nuk është kjo mënyra për të ndërtuar një shtet. Shteti ndërtohet me drejtësi, duke i dhënë çdo qytetari hapësirën që meriton, dhe jo me kërbaç! ”

Tabaku theksoi se ndërsa propozojnë amnisti për gjoba për efekt elektoral, qeveria socialiste propozon edhe ligje me gjoba stratosferike për bizneset. Sipas Tabakut, kjo shumicë socialiste është e dobët me të fortët dhe e fortë me të dobëtit.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka propozuar një projektligj për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale. Ndërkohë, deputetët e opozitës deklaruan dje në Kuvend se projektligji po vinte në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe nuk kishte si qëllim lehtësimin për qytetarët, ndryshe nga sa deklarohej nga qeveria.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›