Tabaku: Buxheti 2025, nuk ka mbështetje për pensionistët

TIRANË, 8 nëntor/ ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka folur sërish për inceneratorët dhe dëmin financiar që ato i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit.
Në një intervistë televizive për Euronews, Tabaku theksoi se inceneratorët janë një çështje që drejtësia duhet t’i shkojë deri fund dhe përgjegjësit për këtë çështje të dalin para drejtësisë. “Unë besoj se çështja e inceneratorëve, nëse i shkohet deri në fund, para drejtësisë duhet të shkojnë deri në nivelin më të lartë të qeverisjes. Kjo çështje, pasojat në buxhetin e shtetit i ka edhe më të rënda nga ato që nënshkruhen në kontrata. Nga të tre inceneratorët, ai i Tiranës shkëlqen në pangopësinë e tij dhe në kontratën e jashtëzakonshme që është firmosur”, tha Tabaku.
Deputetja Tabaku bëri edhe një vlerësim të buxhetit që parashikohet për vitin 2025, nga prioritetet, investimet te pjesa që sipas saj rrezikohet më shumë e që janë rrogat dhe pensionet.
“Unë kam parë shumë buxhete në këto 12 vite, ashtu sikurse shumë kontrata koncesionare, por buxhet më të dobët dhe që nuk mendon për asnjë nga shqetësimet që kanë qytetarët nuk kam parë ndonjëherë. Unë kam shqetësim për buxhetin, pasi nuk tregon se kush janë prioritetet dhe se cilët sektorë do të mbështesë buxheti. Si do të fuqizohet biznesi që të sjellë rritje pagash, nga ana tjetër nga pikëpamja e shpenzimeve për buxhetin nuk kemi mbështetje për pensionistët, nuk ka asnjë rritje për shtresat e ndryshme sociale”, u shpreh Tabaku.
/e.i/a.f/r.e/