Tabaku: Gara për tenderat publikë është zhdukur, mbi 1 miliard euro nën hetim

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh sot nga nga Foltorja e Kuvendit se PD mbështet të gjitha projektet që lindin nga agjendat e gjelbra dhe çdo sektor tjetër.
Gjatë diskutimit për tri marrëveshjet në formë verifikimi granti mes Shqipërisë dhe BE-së. lidhur me projektet infrastrukturore në fushën e hekurudhave, lidhur me Korridorin VIII, faza I – Shqipëri për seksionin Durrës-Rrogozhinë, Tabaku theksoi se duhet të ketë transparencë për tenderat publikë.
“PD ka mbështetur të gjitha projektet që lindin nga agjendat e gjelbra dhe çdo sektor tjetër. Por, shteti ndodhet në vështirësi, pasi ka një barrë të madhe fiskale. Shteti shqiptar e ka zhdukur procesin e garës në tenderat publikë: ato caktohen me mesazhe. Nuk ka partneritete publike-private të hapura siç kërkon gara e hapur. Sot ka një ekonomi të centralizuar që jep favore. Janë mbi 1 miliard euro që janë duke u hetuar. Kjo është kambanë alarmi për të ardhmen e financave publike. Kjo nuk është një garë mes kolegësh, kush ofendon më shumë, apo kush flet më shumë. Është një garë për të vërtetën dhe transparencën që e kanë humbur me kohë”, tha Tabaku.
Më tej, Tabaku tha se debati për Paqen Fiskale, është një debat për të cilin biznesi ka interes, qytetarët kanë interes, sidomos tatimpaguesit e ndershëm.
“Sepse ky ligj, Paqja Fiskale, por edhe shlyerja e borxheve janë për ato që e kanë gënjyer sistemin, për ato që mashtrojnë, për evazorët fiskalë, që e gënjejnë shtetin. Ajo që PD kërkon, është minimumi i transparencës”, tha Tabaku.
Sipas saj, për të dy këto ligje nevojitet transparencë sepse “ato do të dekurajojnë informalitetin dhe do të nxisin mospagimin e taksave”.
“I kam dërguar një shkresë Komisionit Evropian, edhe Parlamentit Evropian për të ngritur shqetësimin që FMN ka pasur me Qeverinë shqiptare, sepse këtu minohet sistemi i taksave dhe krijohet një precedent i rrezikshëm për të ardhmen. Paqja fiskale në vetvete taton të ardhura që nuk janë realizuar akoma dhe i premton bizneseve falje për çdo aktivitet të ardhshëm”, pohoi Tabaku.
/e.i/a.f/r.e/