Tabaku: Industria fason po mbytet nga politikat anti-biznes

TIRANË, 28 mars /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kandidate në listat e hapura për zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku zhvilloi sot një takim me drejtues dhe punonjës të një fasonerie, ku u diskutuan sfidat që po përballet industria prodhuese në vend, veçanërisht sektori fason.
“Sot isha në një fasoneri, ku bisedova me drejtues dhe punonjës për sfidat që po kalon kjo industri. Mbi 70 mijë familje shqiptare mbështeten te prodhimi fason, një industri kampione në eksport që po mbytet nga politikat anti-biznes të kësaj qeverie”, tha Tabaku.
Sipas Tabakut, taksat e larta dhe pastrimi i parave, po ndikojnë negativisht te rrogat e punëtorëve dhe qëndrueshmëria e biznesit.
“Më shumë taksa; Më pak të ardhura për biznesin; Rroga më të ulëta për punëtorët. Të gjitha si pasojë e një ekonomie që favorizon pastrimin e parave në vend të punës së ndershme. Leku zhvlerësohet jo nga rritja e eksporteve, por nga fuqia e betonit dhe koncesioneve klienteliste. Punëtorët taksohen më shumë. Bizneset prodhuese po përballen me kosto më të larta. Vendet e punës janë në rrezik”, theksoi Tabaku.
/a.f/