E Enjte, 5 Nëntor 2026

Tabaku: Integrimi evropian, proces që prek qytetarët në çdo aspekt të jetës së tyre

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh sot se, “procesi i integrimit të Shqipërisë në BE ka fatin e keq të jetë marrë peng nga qeveria dhe burgosur në sirtaret e zyrave të saj”.

Prandaj, theksoi ajo, “sa herë që dëgjojmë për këtë proces, ndjejmë lodhje – sepse na kujton atë pengmarrje që nuk po u jep shqiptarëve shansin të provojnë mundësinë për të ndërtuar Evropën këtu, në vendin tonë”.

Tabaku shtoi se, integrimi nuk është thjesht një proces burokratik që zhvillohet në zyrat e administratës, por është një proces që prek qytetarët në çdo aspekt të jetës së tyre.

Ndërtimi i një demokracie të qëndrueshme dhe institucionale është kyç, shtoi ajo.

“Shqipëria është pjesë e Evropës, por pyetja mbetet: A është demokracia jonë vërtet një demokraci institucionale? A jemi ne pjesë e perëndimit dhe vlerave të BE kur vjen puna te demokracia dhe sundimi i ligjit? Kur sheh se si institucionet përdoren për propagandë dhe jo për reforma reale kundër korrupsionit, dhe si shteti është në funksion të pakicës dhe jo shumicës, natyrisht kupton rrugën e gjatë përpara dhe nevojën për ndryshim”, theksoi Tabaku.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›