E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabaku: Integrimi nuk bëhet me propagandë, por me institucione të forta dhe vullnet politik

TIRANË, 19 maj /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, së bashku me dy deputetë të mazhorancës është duke zhvilluar një tur takimesh dhe diskutimesh në Gjermani, të fokusuar tek procesi i integrimit europian të Shqipërisë.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se procesi i integrimit europian nuk mund të reduktohet në propagandë apo në hapje kapitujsh në letër, por kërkon institucione të forta, ekonomi tregu dhe reforma reale.

Sipas saj, Shqipëria ka kaluar muaj të rëndësishëm në një “udhëkryq” për sa i përket rrugës europiane, ndërsa nënvizoi se tërheqja e investimeve të huaja lidhet drejtpërdrejt me forcimin e shtetit ligjor dhe garantimin e konkurrencës së lirë.

“Rruga e integrimit kalon përmes institucioneve të forta. Tërheqja e investimeve të huaja kërkon institucione të forta dhe reforma ekonomike që sot, fatkeqësisht, nuk janë kryer”, shprehet Tabaku në mesazhin e saj.

Deputetja e PD vendosi theksin edhe tek roli i parlamentarizmit dhe institucioneve të pavarura në procesin e integrimit, duke theksuar se demokracia funksionale, kontrolli parlamentar dhe lufta ndaj korrupsionit mbeten themeli i rrugës europiane të Shqipërisë.

Në fund të reagimit të saj, Tabaku deklaroi se integrimi europian kërkon mbi të gjitha vullnet politik, duke shtuar se opozita e ka treguar këtë vullnet, ndërsa sipas saj qeverisë i mungon serioziteti për të çuar përpara reformat reale që kërkon Bashkimi Europian.

Prej të hënës dy bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, si dhe kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani janë ftuar nga ministri i Shtetit për Europën, Gunther Krichbaum si miq të Republikës Federale të Gjermanisë për një tur takimesh në Kancelari, Qeverinë Federale, Bundestag etj., për të diskutuar mbi “anëtarësimin në BE, statusi dhe perspektivat e vendeve kandididate të avancuara”.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›