E Martë, 3 Nëntor 2026

Tabaku: Mazhoranca i rrëzoi propozimet e paketës antikorrupsion, vetëm pse ishin propozuar nga PD

Rrëzimi nga shumica në Kuvend i propozimeve të opozitës, për disa ndryshime në ligjin për ‘Koncesionet e PPP-ve’, është komentuar nga deputetja demokratë, Jorida Tabaku.

Nëpërmjet një videomesazhi në rrjetin e saj social Facebook, Tabaku shkruan se mazhoranca i rrëzoi propozimet e paketës antikorrupsion, vetëm pse ishin propozuar nga Partia Demokratike.

Sipas saj, parlamenti votoi kundër iniciativave të Partisë Demokratike në ligjin e Koncesioneve dhe PPP-ve, ligje të hartuara në standartet më të mira të BE-së, të cilat, sipas saj, “vendosin nën fre korrupsionin në sektorin më të korruptuar në Shqipëri atë të kontratave publike”.

“Këtu kishim parasysh ndalimin e kompanive offshore, ndalimin e kompanive pa kapitale, pa asete, kompanive që nuk kryejnë punët publike. Qartësisht kishim vetëm një problem,  i propozonte opozita. Sot, sektori i koncesioneve, PPP-ve siç thotë Progres Raporti është nga sektorët më të pakontrolluar ndaj është e nevojshme ta vendosim atë në binarët e ligjit.”, shkruan Tabaku.

Sipas saj, hapësira e opozitës në parlament, pikërisht për të ushtruar këtë rol, për të propozuar ligje, për të hetuar, për të kontrolluar, për të mbikqyrur qeverinë është totalisht e kufizuar.

Mazhoranca rrëzoi të enjten disa propozime të opozitës në Kuvend, në kushtet kur Rithemelimi vijoi të krijonte kaos duke rrëzuar karrige dhe duke ndezur mjete tymuese.

Kjo e bëri të pamundur zhvillimin normal të seancës parlamentare, gjë që solli që as propozimet e opozitës të mos merreshin në vlerësim, pasi në kushtet që u krijuan as që u diskutuan fare.     

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›