Tabaku: PD e angazhuar në mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se Partia Demokratike mbetet e angazhuar në mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Në takimin e 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–BE, Tabaku tha se “për PD-në procesi i integrimi të Shqipërisë është shumë i rëndësishëm. Për PD ky proces është një prioritet, i cili duhet të jetë prioritet kombëtar”.
“Ne e kemi reflektuar këtë gjatë kohës që PD ka qenë në qeverisje, besoj se për të gjithë është e dukshme që arritjet kryesore të Shqipërisë gjatë qeverisjes së PD qoftë për liberalizimin e vizave, qoftë për firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, qoftë edhe për anëtarësimin në NATO nga ish-kryeministri Berisha, sot kryetar i PD-së, janë fakte reale dhe janë prova reale të angazhimit tonë në procesin e integrimit”, nënvizoi Tabaku.
Tabaku u shpreh se, “edhe në opozitë me të gjithë mosdakordësitë që kemi ne, me shumë procese demokratike që po ndodhin, megjithë mosdakordësinë që kemi ne, duke filluar nga media dhe duke vazhduar me hapësirën në parlament, PD ngelet e angazhuar në këtë proces”.
Tabaku vuri në dukje se “PD ka luajtur një rol pozitiv edhe në komisionin e mëparshëm të Çështjeve Europiane ku kemi mbajtur një qëndrim në pozicionet negociuese që janë prezantuar atje, kemi luajtur një rol konstruktiv me propozime dhe kemi bërë të qartë që rruga e Shqipërisë është vetëm rruga europiane”.
“Doja ta theksoja këtë në fund të këtij takimi për të dhënë edhe një mesazh për orientimin që ka Shqipëria, për të dhënë një mesazh edhe kundër çdo lloj dezinformimi apo çdo lloj informacioni që keni pasur për t’u siguruar që tek PD-ja keni një partner europian që beson në vlerat europiane, që beson në demokraci, në shtetin e së drejtës. Ne mendojmë që disa nga drejtimet që Shqipëria ka marrë sot nuk janë në përputhje me vlerat europiane, por përsëri ne do të punojmë çdo ditë dhe do të jemi këtu si një partner i besueshëm për t’u treguar që vlerat europiane ju dhe shqiptarët janë dhe duhet të jenë zgjedhja e Shqipërisë”, theksoi Tabaku.
Tabaku tha se “për ne rruga europiane është e ardhmja”.
/k.s/r.e/a.f/