E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tabaku: “Paketa e Maleve” – Kali i Trojës qeveritar për turizmin malor

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar ashpër aksionin e nisur prej disa ditësh për prishjen e objekteve pa leje në Parkun Kombëtar të Thethit, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me “Paketën e Maleve”. Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se kjo paketë është “Kali i Trojës në pronat e veriut dhe turizmin malor”.

Sipas saj, ndërtimet e konsideruara si pa leje janë ngritur për një kohë të gjatë nën sytë e pushtetit vendor dhe qendror, por tani banorët po përballen me një goditje “selektive dhe të njëanshme”.

“Pas kriminalizimit të ndërtimit, tashmë e ka radhën kriminalizimi i turizmit,” u shpreh Tabaku. “Ajo që po ndodh në Theth me bizneset e turizmit nuk ka as emër dhe as arsye e justifikim tjetër përveçse Paketa e Maleve.”

Deputetja theksoi se aksioni po ndërmerret në mes të sezonit turistik, pa qenë e nevojshme të dëmtonte jo vetëm sezonin e banorëve lokalë, por edhe të gjithë veriut të vendit. Ajo shtoi se këto ndërtime “janë kohë që janë atje, që janë ndërtuar nën hundën e pushtetit, lokal, të mazhorancës socialiste, të IKMT dhe u kujtuan tashmë në mes të sezonit që duhen prishur.”

Tabaku e quajti “Paketën e Maleve” “Kalin e Trojës së qeverisë”, duke e krahasuar me Ligjin e Investimeve Strategjike në turizëm. Ajo argumentoi se ky i fundit nuk solli asnjë risi përveçse dy investitorë të huaj në Shqipëri, dhe se e njëjta gjë pritet të ndodhë me paketën e re, e cila, sipas saj, “sot po shkatërron turizmin verior të Shqipërisë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›