Tabaku: Përdorimi i fondeve për mbrojtjen të shoqërohet me transparencë

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përshëndeti marrëveshjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe të sigurisë në rajon, duke e cilësuar një hap të rëndësishëm në kushtet e sfidave të reja globale.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se Shqipëria përballet me një realitet të ri sigurie, ku kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, teknologjitë e reja ushtarake dhe cenueshmëria e infrastrukturës kritike kërkojnë rritje të kapaciteteve kombëtare dhe një NATO më të aftë për të vepruar.
Ajo theksoi rëndësinë e anëtarësimit në NATO si një garanci për sigurinë e vendit, por nënvizoi se Shqipëria duhet të marrë më shumë përgjegjësi si aleate dhe të investojë në kapacitete reale mbrojtëse.
“Anëtarësimi në NATO ka qenë dhe mbetet një nga objektivat jetikë të Shqipërisë dhe një garanci e pazëvendësueshme për sigurinë e shqiptarëve. Por Aleanca po ndryshon dhe bashkë me të duhet të ndryshojë edhe mënyra se si ne i kuptojmë dhe i përmbushim përgjegjësitë tona”, tha ajo.
“Çdo hap që forcon partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe kapacitetet tona brenda NATO-s meriton mbështetje. Detyra e opozitës është të mbështesë drejtimin strategjik, por njëkohësisht të kërkojë seriozitet, përgjegjësi, transparencë dhe rezultate në zbatimin e tij. Shqipëria nuk duhet ta shohë NATO-n vetëm si një garanci që të tjerët i japin vendit tonë. Ne duhet të jemi një aleat që kontribuon, përmbush detyrimet dhe ndërton kapacitete që i shërbejnë sigurisë së përbashkët”, shkruan ajo.
Sipas saj, investimet në mbrojtje duhet të përqendrohen në fusha strategjike si siguria kibernetike, mbrojtja ajrore, kapacitetet detare, sistemet pa pilot, inteligjenca dhe infrastruktura strategjike.
Tabaku kërkoi që përdorimi i fondeve për mbrojtjen të shoqërohet me transparencë dhe kontroll institucional, duke theksuar se konfidencialiteti për çështjet operacionale nuk duhet të kthehet në mungesë llogaridhënieje për përdorimin e parave publike.
Tabaku kërkoi që fondet të drejtohen te partnerë të besueshëm dhe investime që lidhen me nevojat reale të Forcave të Armatosura dhe standardet e NATO-s.
“Parlamenti dhe institucionet përgjegjëse duhet të kenë mundësi të ushtrojnë kontroll real mbi zbatimin financiar dhe institucional të marrëveshjes. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë se cilat janë objektivat e përgjithshme, çfarë kapacitetesh synohen të ndërtohen dhe si ndikojnë këto angazhime në sigurinë e vendit.
“Fondet për mbrojtjen duhet të shkojnë te partnerë seriozë, të besueshëm dhe me standarde të provuara. Në këtë sektor nuk ka vend për improvizim, klientelizëm apo interesa të ngushta. Çdo kontratë dhe çdo investim duhet të udhëhiqet nga nevojat reale të Forcave të Armatosura, ndërveprueshmëria me NATO-n dhe interesi kombëtar”, theksoi Tabaku.
Tabaku u ndal edhe te sfidat e reja të Aleancës, duke theksuar se Shqipëria duhet të përshtatet me një NATO më kërkuese dhe të ndërtojë projekte konkrete me rezultate të matshme.
“Në këtë realitet të ri, Shqipëria duhet të përshtatet dhe të forcohet për një NATO të re, me projekte konkrete dhe rezultate të matshme. Asambleja e NATO-s në Ankara dëshmoi se sfidat e Aleancës janë bërë më të vështira. Për Shqipërinë, ato janë dyfishuar nga mungesa e investimeve serioze dhe nga keqmenaxhimi i sektorit të mbrojtjes. Kjo nis nga modernizimi i Forcave të Armatosura dhe mbrojtja kibernetike, por përfshin edhe infrastrukturën strategjike rrugore, hekurudhore, portuale dhe detare, e cila është lënë pas dore ose është dëmtuar nga projekte korruptive”, tha ajo.
Sipas saj, një Shqipëri më e fortë brenda NATO-s është edhe një garanci më e madhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, për sigurinë e Kosovës dhe për orientimin euroatlantik të rajonit.
“Angazhimi ynë ndaj NATO-s nuk është një detyrim formal. Por është në interesin jetik të Shqipërisë, të shqiptarëve dhe të gjithë rajonit”, shkruan Tabaku.
/m.q/