E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabaku: Shqipëria ka tokë dhe fermerë, por qeveria po e orienton tregun drejt importeve

Reagimi i Tabakut: 591 mijë hektarë tokë të punueshme. 606 mijë tonë produkte ushqimore të importuara në vetëm shtatë muaj. Dy shifra që dëshmojnë paradoksin dhe dështimin politik. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka rreth 591 mijë hektarë tokë të punueshme. Por, ndërsa ka tokë, fermerë dhe një treg konsumi që po zgjerohet nga turizmi, vendi vazhdon të importojë produkte që, në një masë të konsiderueshme, mund t’i prodhonte vetë. Ndërkohë, familjet shqiptare paguajnë më shtrenjtë për produktet e importit dhe blejnë më pak, ndërsa fermerët vuajnë nga të ardhurat e pamjaftueshme dhe nga një skemë që i godet. Në shtatë muajt e vitit 2026 importuam 45,5 mijë tonë perime. Me rendimentin mesatar aktual, një sasi e tillë do të mund të prodhohej në rreth 1.100 hektarë, më pak se 0,2% e tokës së punueshme të Shqipërisë. Pra, për perimet, problemi kryesor nuk është mungesa e tokës. Problemi është sezonaliteti, mungesa e serrave moderne, e magazinimit, e pikave të grumbullimit, e standardizimit dhe e furnizimit të garantuar të hoteleve dhe restoranteve. Me drithërat, situata është edhe më shqetësuese. Në shtatë muaj importuam rreth 239 mijë tonë drithëra. Kjo sasi përbën afërsisht 38% të gjithë prodhimit vjetor vendas të drithërave në vitin 2025, i cili ishte 623.957 tonë. Shqipëria ka rreth 591 mijë hektarë tokë të punueshme, ndërsa sipërfaqja e mbjellë me bimë arash është vlerësuar në rreth 415 mijë hektarë. Diferenca statistikore është rreth 175.700 hektarë, megjithëse jo e gjithë kjo sipërfaqe mund të konsiderohet menjëherë tokë e lirë ose e gatshme për prodhim. Por le të bëjmë një llogari të thjeshtë. Nëse vetëm 25% e kësaj diference do të vihej realisht në prodhim me drithëra dhe do të arrihej rendimenti mesatar aktual, Shqipëria mund të prodhonte rreth 227 mijë tonë më shumë. Kjo është afërsisht 95% e sasisë së drithërave që importuam në shtatë muajt e parë të vitit. Llogaritë e mëtejshme bëjini vetë! Sigurisht, jo çdo ton i importuar mund ose duhet të zëvendësohet nga prodhimi vendas. Importojmë edhe produkte që klima jonë nuk na mundëson t’i prodhojmë, si kakaoja, kafeja apo frutat tropikale. Një pjesë e drithërave përdoret gjithashtu për blegtorinë dhe industrinë ushqimore. Por kjo nuk e ndryshon përfundimin: Shqipëria ka potencial, por nuk ka një politikë që e kthen këtë potencial në prodhim, treg dhe të ardhura për fermerin. Për vite me radhë, fermerët kanë kërkuar një skemë funksionale të TVSH-së, por në këmbim kanë marrë vetëm alibi, justifikime dhe politika klienteliste nga qeveria. Ndërkohë, qeveria na thotë se turizmi po tërheq të gjithë ekonominë. Por, nëse hotelet dhe restorantet furnizohen gjithnjë e më shumë me produkte të importuara, kërkesa e krijuar nga turizmi nuk shkon te fermeri shqiptar. Ajo përfundon te prodhuesi i huaj dhe tek importuesi. Nga kjo histori dalin tri përfundime. Së pari, bie alibia se rritja e turizmit po ndihmon automatikisht sektorët e tjerë. Pa një lidhje ndërmjet turizmit dhe prodhimit vendas, një pjesë e efektit ekonomik largohet jashtë vendit. Së dyti, bujqësia vazhdon të trajtohet si sektor dytësor. Pa ujitje, mekanizim, grumbullim, magazinim, kontrata furnizimi dhe financim të përballueshëm, fermeri shqiptar nuk mund të konkurrojë me importuesin. Së treti, modeli ynë tregtar mbetet i rënduar. Në shtatë muajt e parë të vitit, eksportet e mallrave ishin rreth 228 miliardë lekë, ndërsa importet rreth 535 miliardë lekë. Deficiti arriti afërsisht 307 miliardë lekë dhe eksportet mbuluan vetëm rreth 43% të importeve. Rritja e eksporteve në një muaj është një shifër reale. Por ta paraqesësh atë si dëshmi të një ekonomie prodhuese dhe eksportuese do të thotë të ndërtosh një realitet të sajuar. Rritja mbështetet në pak grupe, ndërsa sektorë me potencial të madh, si bujqësia, vazhdojnë të humbasin terren. Shqipëria ka tokën. Ka fermerët. Ka edhe tregun që po krijon turizmi. Ajo që i mungon është një qeveri që t’i lidhë këto mundësi me njëra-tjetrën dhe t’i kthejë në prodhim, punësim dhe mirëqenie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›