Takim “pa shtrëngim duarsh” mes Putin dhe Nehammer. Kancelari austriak: Bisedimet ishin të drejtpërdrejta, por jo miqësore

Ditën e sotme është zhvilluar takimi mes kancelarit austriak, Karl Nehammer dhe presidentit rus, Vladimir Putin. Ai është lideri i parë i Bashkimit Evropian që takohet me zotin Putin, që kur ai urdhëroi trupat e tij të pushtonin Ukrainën më 24 shkurt. Kancelari tha se bisedimet mes tyre ishin shumë të drejtpërdrejta, të hapura dhe të ashpra.
“Unë dhashë një mesazh të rëndësishëm për Putin. I thashë që lufta në Ukrainë duhet të përfundojë sepse në luftë ka vetëm humbës nga të dyja palët”, tha kancelari.
Ai shtoi se vizita nuk ishte miqësore, ndërsa shtoi se e ndjente si detyrë për ta takuar. Takimi zgjati 90 minuta dhe, sipas mediave, ishte “pa shtrëngim duarsh”.