E Diel, 1 Nëntor 2026

Takime për kujdestarinë alternative – Shkollat e Korçës në fokus të ndërgjegjësimit për mbrojtjen e fëmijëve në rrezik

Në Korçë po zhvillohen takime informuese në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e qytetit, me fokus forcimin e mekanizmave mbrojtës për fëmijët. Këto takime synojnë të informojnë stafin arsimor dhe Këshillat e Prindërve mbi konceptin e kujdestarisë alternative, si një formë mbështetjeje për fëmijët pa kujdes prindëror ose në rrezik për t’u ndarë nga familja biologjike.

“Fokusi kryesor ka qenë promovimi i familjes kujdestare, njohja e komunitetit me shërbimet dhe kontributi që mund të japë gjithsecili prej nesh në kuadër të kujdesit alternativ”, tha Klevis Braimllari, punonjës social në Nisma Arsis.

Gjatë takimeve është vërejtur një interes i shtuar nga prindërit mbi procedurat dhe përgjegjësitë që lidhen me kujdestarinë alternative.

“Interesi ka qenë edhe në kuadër të të mësuarit më tepër rreth procesit”, theksoi ai.

Turi i takimeve pritet të vijojë në të gjitha institucionet arsimore, me synimin për të ndërtuar një rrjet më të fortë mbështetjeje për çdo fëmijë në nevojë.

Gazetare: E. Fili     

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›