E Martë, 3 Nëntor 2026

Takimet në Bruksel/ Vuçiq: Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq (Aleksandar Vucic) pas takimeve të zhvilluara një ditë më parë (26 tetor) në Bruksel me zyrtarët evropianë, deklaroi se Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës.

Ai u shpreh se Serbia në përputhje me politikën e saj, ka thënë qartë se dëshiron të zbatojë të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar nga Marrëveshja Themelore e vitit 2013 e deri te marrëveshjet e arritura më vonë në Bruksel dhe Ohër.

“Ne gjithmonë kemi theksuar vetëm një gjë, e cila gjithmonë është përsëritur, ajo është se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB apo pavarësinë e Kosovës dhe në ato qëndrime kemi thënë se jemi të gatshëm të përmbushim gjithçka që është rënë dakord. Kemi pasur vetëm një rezervë dhe e kemi thënë sërish për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe pavarësinë e Kosovës. Ne u sollëm plotësisht me përgjegjësi dhe seriozitet”, tha Vuçiq.

Qeveria e Kosovës akuzoi në mbrëmje Serbinë se refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e Zbatimit të saj janë dakorduar në muajin mars në Ohër.

Në asnjërin prej dokumenteve, palët nuk i kanë vendosur nënshkrimet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›