E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Takimi i 21-të i SELEC, bashkëpunim rajonal kundër tregtisë së paligjshme

TIRANË, 15 nēntor/ATSH/ Dogana Shqiptare kryesoi takimin e 21-të të taskforcës Kundër Mashtrimit dhe Kontrabandës të Qendrës së Evropës Juglindore për Zbatimin e Ligjit, që u organizua më 12 nëntor në Bukuresht, Rumani në përpjekje të vazhdueshme për të forcuar bashkëpunimin rajonal në fushën e tregtisë së paligjshme.

Qëllimi i takimit ishte sigurimi i një forumi në të cilin pjesëmarrësit mund të diskutojnë për qasjet rajonale në parandalimin dhe luftimin e mashtrimeve doganore dhe kontrabandës, duke synuar në përgjithësi forcimin e bashkëpunimit rajonal mes Doganës dhe Policisë në këtë fushë, si dhe vendosjen e drejtimeve të përbashkëta që duhen ndjekur në nivel rajonal.

Takimi u kryesua nga Elton Kalemi, Oficeri Ndërlidhës i Doganës Shqiptare, si koordinator i taskforcës, duke theksuar rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit për ndikim më të suksesshëm në luftën kundër mashtrimit dhe kontrabandës në rajonin tonë.

Përfaqësuesit e shteteve anëtare të SELEC paraqitën një pasqyrë të aktiviteteve dhe sfidave të vitit të kaluar në nivel kombëtar në fushën e luftimit të mashtrimeve doganore dhe kontrabandës ndërkufitare.

Gjithashtu, u diskutuan propozimet për aktivitetet e ardhshme të Taskforcës, duke pasur parasysh kontekstin më të gjerë të përpjekjeve kundër mashtrimit dhe kontrabandës të agjencive të tjera evropiane.

Pjesëmarrësit u mirëpritën nga Oguz Serkant Akin, drejtor i përgjithshëm dhe Romulus Ungureanu, drejtor për Operacionet, të cilët dhanë përvojat e tyre në lidhje me aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Taskforcës Antimashtrim dhe Kundër Kontrabandës SELEC.

Ata diskutuan gjithashtu për interesat dhe angazhimin e vazhdueshëm të SELEC për të siguruar një platformë të qëndrueshme dhe efikase bashkëpunimi për Shtetet Anëtare dhe Partnerët Operacionalë, si dhe me agjencitë kombëtare dhe ndërkombëtare të zbatimit të ligjit në mbarë botën.

Dogana Shqiptare koordinon taskforcën Kundër Mashtrimit dhe Kontrabandës të SELEC që nga themelimi i saj. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›