Takimi i Këshillit të Sigurimit për Gazën- Ambasadorët e OKB dënojnë vendimin e Netanyahut. SHBA-Izrael me front të përbashkët

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara formuan një front të përbashkët në takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gazën të dielën (10 gusht).
Zëvendësambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Jonathan Miller, përsëriti argumentet e deklaruar më herët në një konferencë shtypi nga kryeministri Benjamin Netanyahu, duke thënë se Tel Avivi dëshiron të çlirojë Gazën nga Hamasi. “Kjo do ta bëjë vendin më të mirë. Si mund ta injorojë ndonjëri prej jush këtë?”, tha ai.
SHBA mbrojti Izraelin, duke thënë se ka të drejtë të vendosë se çfarë është më e mira për sigurinë e tij, ndërsa i quajti pretendimet për gjenocid në Gaza të rreme.
Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Dorothy Xia, i tha këshillit se SHBA po “punonte pa u lodhur” për të liruar pengjet dhe për t’i dhënë fund luftës në Gaza, dhe tha se takimi urgjent i OKB-së “minon ato përpjekje”. SHBA ka një veto në këshill dhe mund të bllokojë veprimet e propozuara.
Xia shtoi se SHBA po punon në tre pika: adresimin e nevojave humanitare, lirimin e pengjeve dhe arritjen e paqes. Ajo akuzoi Këshillin e Sigurimit se po fokusohet në pikën e parë pa e kuptuar se ato janë të lidhura.
Së fundi, ajo i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të kërkojë që Hamasi të lirojë të gjithë pengjet dhe të çarmatoset.
Anëtarë të tjerë të këshillit dhe zyrtarë të OKB-së shprehën shqetësim mbi planin e Izraelit për të marrë qytetin e Gazës. Kina e ka quajtur të papranueshëm “ndëshkimin kolektiv” të njerëzve në Gaza. Rusia paralajmëroi për një “intensifikim të pamatur të armiqësive”.
Çfarë tha përfaqësuesi i palestinezëve
Riyad Mansour, vëzhguesi rezident i Palestinës në Kombet e Bashkuara, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se është “e padiskutueshme” që Izraeli nuk është i interesuar për atë që thonë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Mansour tha se ndërsa ai vlerëson deklaratat e mbështetjes nga anëtarët e tjerë të bordit, ato nuk janë të mjaftueshme. “Ju duhet të veproni. Ju duhet të bëni diçka për këtë. Ju duhet ta ndaloni atë,” shtoi ai.
Mansour bëri thirrje për tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza dhe theksoi se Autoriteti Palestinez duhet të marrë përsipër detyra qeveritare me mbështetje rajonale dhe ndërkombëtare. Ai shtoi se kjo do të nënkuptonte që Hamasi të dorëzonte armët e tij dhe t’i jepte fund luftës.
Rusia: Shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare
Ambasadori rus Dmitry Polyansky e quajti planin e Izraelit “një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar”.
Ai shtoi se diplomacia aktive e mëparshme, në vend të intensifikimit të pamatur të armiqësive, çoi në lirimin e më shumë se 140 pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
“Autoritetet izraelite kanë vendosur të zgjedhin një përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës, duke rrezikuar kështu sigurinë dhe jetën e pengjeve izraelite”, theksoi Polyanski.
Ai më pas akuzoi Izraelin për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit në Gaza: “Sa palestinezë të tjerë duhet të vdesin para se të përfundojë kjo masakër çnjerëzore?” pyeti Politanski.
Duke iu referuar Shteteve të Bashkuara, Polyanski tha se Uashingtoni po “lan duart” dhe po i jep Izraelit “një çek të bardhë për të pasur liri të plotë veprimi në Gaza”.
Kina: Mjetet ushtarake nuk ndihmojnë
Ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara tha se situata në Gaza “vazhdon të evoluojë në një drejtim edhe më të rrezikshëm”.
“Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të kundërshtojë fuqimisht çdo përpjekje për të pushtuar Gazën”, tha ai, duke shtuar se Kina dënon vendimin e Izraelit për të rinovuar ofensivën e tij ushtarake në qytetin e Gazës.
“Mjetet ushtarake nuk janë mënyra për të zgjidhur këtë problem,” tha ai.
“Nëse planet për të kapur qytetin e enklavës palestineze zbatohen, ato rrezikojnë të shkaktojnë një katastrofë të re në Gaza, e cila do të ketë ndikim në të gjithë rajonin dhe do të shkaktojë zhvendosje të reja të detyruara, vrasje dhe shkatërrime, duke i bërë vuajtjet e popullsisë edhe më të padurueshme”, theksoi ai.
/rtsh.al/