Takimi i parë me një film soc-realist
Më kujtohet si sot ajo pasdite vjeshte e vitit 1967 kur dikush më pëshpëriti që të shkoja në sallën e projeksionit të filmave në sektorin e kinofikimit. Ishte një praktikë e njohur kjo. Kur në Kinostudio vinin filma për vizionim nga bota, një pjesë e regjisorëve dhe operatorëve të vjetër kishin privilegjin ti shikonin. Natyrisht që për shfaqjen ose jo të tyre në kinema, vendoste një komision vizionimi (për të mos thënë komisioni i censurës) ku nuk bënte pjesë asnjë regjisor.
Atë pasdite patëm rastin të shikonim filmin çek Dashuritë e një bjondeje të regjisorit Milosh Forman. Përmes revistave Bianco e nero apo Film a doba që na vinin në Kinostudio, e dinim se në Çekosllovaki, krahas lëvizjes liberalo-politike të njohur si Pranvera e Pragës edhe kineastët çek po realizonin filma të admirueshëm. Ajo epokë krijuese u emërtua nga kritikët si Vala e re e filmit çekosllovak. Dhe ja ku po shikonim një film të kësaj vale, me titull të thjeshtë, me ndodhi reale e jetësore.
E kisha njohur Milosh Formanin fillimisht si skenarist nga filmi Konet që doli në kinema në vitin 1956. Asgjë e veçantë. Një film korrekt. Brenda kornizës së metodës zhdanoviane të realizmit socialist. Por ajo që tërhoqi vëmendjen e publikut dhe kritikës evropiane ishte Laterna magika. Një spektakël i veçantë ku ndërthuren filmi dhe muzika, baleti dhe efektet zanore që befasuan të gjithë ata që patën mundësinë ta shikonin në Ekspozitën Botërore të Brukselit më 1958. Ky spektakël i rrallë u vlerësua me medaljen e artë të panairit. Është e vërtetë që Formani ishte vetëm asistent, por si do ta pohojë më vonë ai vetë, regjisori gjenial i kësaj shfaqjeje, Alfred Radoku, ka qenë dhe mbetet babai shpirtëror i Formanit në ecurinë e tij artistike.
* * *
Një ditë të ftohtë të 14 shkurtit të vitit 1932, në familjen e Formanëve pati gëzim të veçantë. U lindi djali i tretë që e pagëzuan me emrin Milosh. Nuk besoj se asokohe të festohej ashtu si sot dita e Shën Valentinit por mund të them se Miloshi, i lindur për Shen Valentin i dha shumë dashuri botës së filmit.
U rrit si një fëmijë normal në një qytezë të Çekosllovakisë me emrin Çaslav. Miloshi i vogël nuk kishte si ta dinte se matanë kodrave të qytetit të tij, në Gjermaninë fqinje, një burrë me mustaqe të prera shkurt i quajtur Adolf Hitler, po pregatiste një kasaphanë të tmerrshme që do ndikonte jashtë mase edhe në rrjedhat e jetës se tij. Fill pas pushtimit të Çekosllovakisë, Gestapoja arrestoi të jatin, anëtar i një celule anti-hitleriane, dhe sikur të mos mjaftonte kjo, pas disa kohësh edhe nëna e tij arrestohet nga Gestapoja. Fëmija dhjetëvjeçar lëviz nga një shtëpi te tjetra i goditur rëndë nga mungesa e prindërve dhe në fund të luftës mëson se vërtet i kishin vdekur, njëri në burg e tjetra në kampin e përqendrimit.
***
I rritur konvikteve, mësoi të mbijetojë edhe në çastet e vështira të jetës. Që i vogël ëndërronte të merrej me art ndaj së bashku me një grup shokësh themelon një teatër ambulant i cili, në shkretinë artistike të viteve pesëdhjetë të mbushur me drama heronjsh që tejkalojnë planet, me ndërtime hidrocentralesh e kooperativistë të gëzuar, pritej kudo me duartrokitje të forta nga publiku.
Ndryshimet e mëdha politike që erdhën si pasojë kur një grup komunistësh liberalë me në krye Aleksandër Dubçekun pretendonin për një socializëm me fytyrë njerëzore ndikuan edhe në realizimin e një serie filmash me vlera. Filmat e Menzelit, Hitiloves, Jireshit apo Formanit po prezantonin me sukses arritjet e kinemasë çekosllovake në botë. Pas Dashuritë e një bjondeje dhe Zjarr po bie kukulla ime, Formanit i vijnë oferta bashkëpunimi nga kineastët francezë e italianë. Pikërisht në një moment pregatitjesh për një film të ri në Paris, Formani mëson se më 21 gusht 1968 ushtritë e Traktatit të Varshavës pushtuan Çekosllovakinë. Iluzioni për një botë më të mirë u ndërpre brutalisht nga tanket e Brezhnjevit që shpiku teorinë e sovranitetit të kufizuar. Qëndrimi provizor i ushtrive ruse për normalizimin e situatës në Çekosllovaki vazhdoi plot 22 vjet.
Po të mos ishte instaluar komunizmi, vështirë se do të largohesha ndonjëherë nga vendi im, pohon në kujtimet e tij Formani.
***
Edhe pse asnjëherë nuk hoqi dore nga ambiciet krijuese, Milosh Formanit që zgjodhi emigracionin iu desh të priste me durim për disa vite momentin e duhur. Në adresë të tij në Hotel Çelsi në Nju Jork, i vjen një libër me titull Dikush fluturoi në folenë e qyqes. Ishte një libër i bazuar në përvojën personale të Ken Kesit nga jeta në një spital psikiatrik. Një libër që kudo që shkonte, të producentët privatë apo kompanitë e mëdha të Hollivudit, merrte të njëjtën përgjigje: Filmat me mjedise spitalet psikiatrike nuk kanë interes për publikun. Po Formani pa në atë vepër atë që nuk e deshifronin dot të tjerët. Njerëzit krijojnë gjithfarëlloj institucionesh në përpjekjen për ta bërë botën më të drejtë dhe më racionale, pohon Formani në kujtimet e tij. Bota e sotme nuk do kishte kuptim pa shkolla, jetimore, gjyqe, zyra qeveritare dhe institute për të sëmurë mendorë, dhe ndërkohë sapo lindin fillojnë e devijojnë. Për interesa të tyre ato përkrahin tek njerëzit bindjen dhe vartësinë, sepse personalitetet e fuqishme i kërcënojnë ato.
I realizuar me një buxhet sa gjysma e honorarit të një ylli të sotëm hollivudian, filmi brenda një kohe të shkurtër inkasoi vetëm në Amerike 140 milionë dollarë dhe në gjithë botën 280 milionë. I nominuar për Oskar në nëntë kategori, filmi fitoi për skenarin dhe regjinë, aktorin protagonist Xhek Nikolson dhe aktoren protagoniste Luizë Fleçer.
Pas këtij filmi Formanit i hapen kat e kat dyert e Hollivudit. Realizon filma të mirë, filma komerciale, kudo e kërkojnë por ndërkohë humbet tharmin e artistit rebel europian që e ndjente veten më mirë në mesin e aktorëve amatorë.
Në vitin 1982 i hyn realizimit të veprës më ambicioze dhe me të suksesshme të karrierës së tij, të titulluar Amadeus. Njohja e Formanit me pjesën teatrale të Pitër Shaferit, bashkëpunimi me të për rikrijimin e një skenari të mirëfilltë filmik, peripecitë gjatë realizimit të filmit në Pragën e komanduar nga burokratët bolshevike dhe të survejuar nga sigurimi i shtetit, të gjitha këto janë sa një manual praktik se si mund të realizohet një kryevepër filmike për të pasionuarit e kinemasë aq sa edhe një kënaqësi letrare për ata që u intereson jeta e njerëzve të mëdhenj të shekullit të kaluar.
***
Në pranverën e 1985-ës Amadeusi u nominua për njëmbëdhjetë Oskar, ndërkohë që për çmimin e aktorit më të mirë rivalizonin Tom Hulci (Amadeusi) me F.Mërej Abraham (Salieri). Në fund Amadeusi mori tetë Oskar, por shpërblimi më i madh i imi është, ajo që përjetoj në fund të çdo shfaqjeje, kur njerëzit në gjithë botën gozhdohen në sediljet dhe për gjashtë minuta shikojnë titujt e mbylljes dhe dëgjojnë koncertin për piano të Moxartit, kujton pas kaq vitesh mjeshtri i filmit.
Fisnikët dhe kalecët
Milosh Forman
Kur xhiroj film, përpiqem të jem i verbër dhe i shurdhër ndaj gjithë thashethemeve, sharjeve dhe aferave, të cilat i ke me tepri kudo. Jo se nuk më interesojnë, kush me kë shkon, kush shan shtabin, kush u deh si kopan dhe kush thotë për mua se jam skllavopronar. Përkundrazi, kjo pëshpërimë eksituese që shoqëron ekseset e njerëzve energjikë dhe inteligjentë, të cilët përkohësisht janë larg shtëpisë në ndonjë vend ekzotik dhe sillen sipas kësaj, provokon kuriozitetin tim. Por edhe më relakson.
Paradoksalisht në Pragë, kur isha dhe nuk isha në shtëpi, përqendrimi im për punën ishte më i vështirë. Shumë gjëra këtu i kisha për zemër dhe atmosfera përreth shta
