Takimi me Kallas, Vuçiç: Bisedë e vështirë, u përgjigja në përputhje me interesat e Serbisë

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar takime të ndara me krerët e Kosovës dhe Serbisë me të cilët ka biseduar për dialogun për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, për sulmin në Banjskë dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Takimet e ndara në Bruksel mes Kallasit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk ishin në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar bisedë të “hapur dhe të vështirë”.
Vuçiq shkroi në Instagram se Kallas foli për domosdoshmërinë e dialogut me Kosovën, “zgjidhjen e rastit të Banjskës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”.
“Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, tha Vuçiç.
Më vonë gjatë 3 dhjetorit, Kurti dhe Vuçiç, së bashku me udhëheqësit e tjerë të Ballkanit Perëndimor, do të zhvillojnë takime të ndara me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Takimet do të mbahen para një darke që Costa do të organizojë me udhëheqësit e rajonit.
Sipas burimeve nga BE-ka, këto takime kanë për qëllim që Costa, i cili mandatin ka nisur të dielën me 1 dhjetor, të njihet personalisht me ta, por edhe të përgatisë samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet më 18 dhjetor në Bruksel.
Ndryshe, Kurti dhe Vuçiç u takuan për herë të fundit në kuadër të dialogut të Brukselit në shtator të vitit 2023.
Pak ditë pas atij takimi, ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan Policinë e Kosovës dhe vranë një polic.
Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Kosova ka ngritur aktakuzë për rastin e Banjskës, dhe Radoiçiq aty thuhet se ka qenë përgjegjës i grupit. Prishtina ka kërkuar që Serbia të dorëzojë atë tek autoritetet e Kosovës.
Në anën tjetër, autoritetet gjyqësore në Serbi kanë paralajmëruar se së shpejti do të marrin vendim lidhur me ngritjen ose jo të një aktakuze ndaj Radoiçiqit për rastin e Banjskës, pasi autoritetet serbe kanë kryer një hetim të ndarë për këtë rast.
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë kërkuar që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësinë.
/REL/