E Hënë, 2 Nëntor 2026

Takimi me shqiptarët më 3 nëntor në Selanik, Rama: Historia na ka lidhur me fqinjët tanë jugorë

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë më 3 nëntor takimin e radhës me shqiptarët e diasporës, ku do të ndalet sërish në Greqi, por këtë herë me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Selanki.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama shkruan se dy popujt janë të lidhur prej shekujsh nga historia dhe se të ardhëm do e jenë krahë njëri-tjetrit në Bashkimin Europian.

“Pasnesër do të rikthehem me një kënaqësi krejt të posaçme tek shqiptarët e Greqisë, këtë herë në Selanik, ku historia na ka lidhur me njëmijë fije dhe e sotmja na bashkon më shumë se asnjëherë me fqinjët tanë jugorë, si dy popuj europianë që edhe për pak vite do jenë krah për krah në Bashkimin Europian”, shkruan Rama.

Takimi me shqiptarët në Selanik do të zhvillohet në orën 11.00 në Porto Palace Hotel dhe është takimi i dytë i kryeministrit me shqiptarët e Greqisë, pas atij të parit në Athinë më 12 maj në pallatin e sportit Galatsi.

Rama rinisi turin e tij me diasporën me takimin me shqiptarët në Nju Jork, ku u kërkoi votën për zgjedhjet parlamentare të 2025, ku për herë të parë do të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës edhe diaspora.

Takimet e kryeministrit Rama me diasporën zhvillohen në kuadër të turit “Krenar për Shqipërinë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›