Taksat e karburanteve, të hiqen apo të ulen? Kjo është çështja!

Rritja e çmimit të karburanteve është shndërruar në një temë të nxehtë debati gjatë kësaj jave pas një shtrenjtimi të menjëhershëm që pësoi nafta, benzina dhe gazit në vend. Aktualisht një litër naftë po tregtohet me 193 lekë, benzina ka arritur 200 lekë për litër dhe gazi 95 lekë për litër.
Veç ndikimit që kanë bursat dhe inflacioni, ekspertët e ekonomisë thonë se problemi kryesor është se tregu është i përqëndruar në pak duar dhe vuan nga mungesa e konkurrencës.
Eksperti i ekonomisë Eduard Gjokutaj shton se ligje të caktuara në fushën e hidrokarbureve nuk po i shërbejnë nevojave të ekonomisë në këtë treg.
Veç rritjes së çmimeve, ekspertët thonë se ka ardhur koha që qeveria të ndërhyjë për të ardhmen e këtij tregu.
Në çdo litër naftë që shitet në treg, qeveria shqiptare mbledh 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni dhe 7 deri në 10 lekë taksë riliçensimi.
Këtyre katër taksave që shkojnë në akën e shtetit u shtohen dhe dy tarifa të tjera që paguhen për koncesionarët privatë. Ato janë tarifa e markimit 1 lekë për litër dhe skanimi 1.4 lekë për litër.
Në fund, paguhet edhe tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), i cili është 20 për qind e çmimit final, ose rreth 30 lekë për litër duke e çuar barrën totale të taksave dhe tatimeve 109.4 lekë për një litër naftë.
Ekspertët sugjerojnë më së shumti uljen e taksave se sa heqjen e tyre. Fjala është për akcizën, taksën e qarkullimit, TVSH, markimit, skanimit, apo taksë riliçensimi, që zenë peshën kryesore në strukturën që formon çmimin e karburanteve.
Të mos harrojmë që në Shqipëri janë regjistruar jo më pak 700 mijë makina, shumica e të cilave qarkullojnë çdo ditë.
/rtsh/