Talebanët pushtuan edhe qëndresën e fundit, presidenti afgan arratiset nga Kabuli

Teksa arritën të marrin nën kontroll qytetin verior Mazar-I-Sharif, talebanët mësynë edhe në vilën luksoze të liderit ushtarak të Afganistanit, Rashid Dostum. Në videot e publikuara në internet, talebanët duken teksa ulen në mobiliet prej ari. Rashid Dostum ka qenë aleati kryesor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë 20 viteve të fundit në luftën ndaj talebanëve. Dostum është edhe themeluesi i partisë Junbish-e.
Presidenti afgan Ashraf Ghani, është larguar nga Afganistani për në Taxhikistan, tha një zyrtar i lartë i ministrisë së brendshme për Reuters. I pyetur për koment, zyra e presidentit “nuk mund të thotë asgjë për lëvizjen e Ashraf Ghani për arsye sigurie”. Ndërkohë, një zyrtar taleban tha se ata po kontrollonin raportet në lidhje me largimin e Ghanit nga vendi.