E Diel, 1 Nëntor 2026

Tapeti i fushës “Arena e Demave” do të zëvendësohet nga bar natyral në hibrid

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Tapeti i fushës në stadiumin “Arena e Demave” do të zëvendësohet nga bar natyral me një tapet me bar hibrid.

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar në mbledhjen e fundit propozimin e klubit të futbollit Partizani për ndryshimin e sipërfaqes së fushës në stadiumin “Arena e Demave”.

Sipas vendimit, tapeti ekzistues me bar natyral do të zëvendësohet me një tapet me bar hibrid, një zgjidhje që vlerësohet më e përshtatshme për të garantuar standarde më të larta cilësie, qëndrueshmëri më të madhe ndaj ngarkesës së përdorimit dhe kushte optimale për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

FSHF do të marrë përsipër financimin dhe realizimin e punimeve, përfshirë mbjelljen e barit dhe sistemin e vaditjes.

Po ashtu, në kompleksin “Arena e Demave” janë parashikuar edhe dy fusha të tjera stërvitore.

Në njërën prej tyre me bar natyral me përmasa standarde, FSHF do të financojë sistemin e vaditjes, mbjelljen e barit dhe pajisjen me porta, ndërsa në fushën tjetër me përmasa standarde do të vendoset tapet artificial dhe një set portash.

Ky investim vlerësohet si një hap i rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend dhe në përafrimin me standardet ndërkombëtare, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e finaleve të Kampionatit Europian U-21 2027.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›