Tarifat ‘hidhërojnë’ çokollatën amerikane/ Kakao importohet me çmim të lartë, favorizohet tregu në Kanada e Meksikë

Tarifat tregtare të vendosura nga Presidenti amerikan Donald Trump, të cilat synojnë të nxisin prodhimin vendas, po japin efekt të kundërt në industrinë e çokollatës: po rrisin ndjeshëm koston e importit të kakaos – një përbërës kyç që nuk kultivohet në SHBA dhe po dëmtojnë konkurrueshmërinë e fabrikave amerikane ndaj atyre në Kanada dhe Meksikë.
Sipas bisedave me 11 drejtues, ekspertë dhe tregtarë të industrisë, tarifat po e vështirësojnë operimin e fabrikave amerikane, ndërkohë që nën marrëveshjen e lirë tregtare USMCA, Kanadaja dhe Meksika mund të eksportojnë çokollatë në SHBA pa tarifa, pavarësisht nga origjina e kakaos që përdorin.
Kanadaja, nga ana tjetër, nuk vendos tarifa mbi importet e kakaos së papërpunuar ose të përpunuar pjesërisht (si gjalpi dhe pluhuri i kakaos), ndërsa Meksika kultivon vetë një pjesë të kokrrave të saj. Kjo u jep fabrikave në të dy vendet avantazh të qartë përballë atyre amerikane, të cilat aktualisht paguajnë tarifa nga 10% deri në 25% për lëndët e para – me rrezikun që ato të shkojnë deri në 35% më 1 gusht.
Një zyrtar i qeverisë amerikane deklaroi se Shtëpia e Bardhë po monitoron situatën dhe po dëgjon reagimet e industrisë për të realizuar agjendën ekonomike të Presidentit Trump.
Gjiganti amerikan i çokollatës Hershey, i cili prodhon kryesisht në SHBA, por ka edhe fabrika në Kanada dhe Meksikë, ka vlerësuar se do të përballet me një kosto shtesë prej 100 milionë dollarësh në tremujorin e tretë dhe të katërt të këtij viti, nëse tarifat mbeten në fuqi. / abcnews.al