E Martë, 3 Nëntor 2026

Tarifë e re energjie për makinat elektrike, taksitë në protestë: Do të ndjekim rrugët ligjore

Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur një tarifë të re për energjinë elektrike në stacionet e karikimit të makinave elektrike, e cila do të aplikohet prej 1 nëntorit. Tarifa e re do të jetë 22 lekë/kWh dhe 25.3 lekë/kWh në orët e pikut 18:00-23:00.

Për përdoruesit e makinave elektrike dhe taksitë kjo nënkupton në kosto të shtuar. Xhevit Bara, një nga përfaqësuesit e Sindikatës së Taksive, shpjegon në programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan cili është dëmi konkret që pësojnë.

Xhevit Bara: Në qoftë se dje merrje një qytetar për ta çuar nga këtu ku jemi, te ETC dhe e çoje në qendër, 300 lekë rruga, ti harxhoje 100 lekë energji elektrike dhe nxirrje 200 lekë. Ky përkthehet në taksa dhe në fitimin e familjes tënde. Më datë 1, nuk do ta marrësh më këtë 200 lekëshin se do të shkojë 200 lekë korrenti dhe nuk e merr.

Aldo: Ose rrit çmimin.

Xhevit Bara: Nuk mund ta rrisësh çmimin sepse çmimi është atribut ligjor i Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Bara e konkretizon shpjegimin e tij për kostot e taksie me disa shifra të thjeshta.

Xhevit Bara: Në qoftë se dje një taksi me një mesatare, fitoje në 10 rrugë nga 1 mijë lekë, 10 mijë lekë. Në datën 1 ka për të fituar 8 mijë lekë sepse do t’i hajë energjia më shpejt sesa më 31.

Të premten, në orën 12:00 do të ketë një manifestim nga kompanitë e taksive.

Xhevit Bara: Ne do të ndjekim rrugët ligjore, nuk kemi si të pajtohemi kështu. Sindikata nuk është kundër normave e ligjeve. Do të bëjmë të gjitha tentativat që na lejon ligji, që dje kanë çuar shkresat zyrtare dhe do të shkojmë te protesta, do të jenë të padhunshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›