E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet propozojnë mbledhjen me “forcë” të parapagimit të tatimfitimit, nëse nuk paguhet

TIRANË, 22 shtator /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve propozon mbledhjen me forcë të kësteve të parapagimit të tatimit mbi fitimin në rastet kur ato nuk janë paguar nga tatimpaguesi, me synim parandalimin e krijimit të detyrimeve të reja.

Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Ilir Binaj, gjatë raportimit të tij sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, u shpreh se është bërë një propozim për mbledhjen me forcë të parapagimit të tatimit mbi fitimin.

“Ne kemi bërë një propozim për ndryshim ligjor, në kuptimin që parapagimi i tatimit mbi fitimin të jetë i mbledhshëm me forcë, për faktin se deri tani nuk është. Në ligjin e vjetër ishte përcaktuar që, nëse nuk paguhej brenda afateve, kishte një gjobë 10%, të cilën ne e hoqëm për ta lehtësuar biznesin. Por, nga ana tjetër, kjo po reflektohet në një vështirësi më të madhe për mbledhjen e parapagimit, për faktin se ai nuk quhet detyrim, sepse normalisht bëhet detyrim kur mbyllet deklarata në fund të vitit, gjë që vështirëson procesin e mbledhjes me forcë.

Për këtë arsye është edhe propozimi ynë që i kemi bërë Ministrisë së Financave me paketën e re fiskale, që të merret parapagimi në kohën që ai duhet të paguhet dhe të mos pritet një vit. Sepse, në momentin që mbyllet viti, mundet që biznesi të ketë probleme me likuiditetin dhe, nëse e paguan çdo muaj, është shpesh më e thjeshtë, ndërkohë që kur mblidhet i tëri në fund, bëhet akoma më e vështirë”, tha Binaj.

Ai shtoi se, “në këto raste, shpesh ndodh që bizneset mundet të gjejnë çdo lloj instrumenti për të mos e paguar atë që duhet t’i japin shtetit”.

Kreu i Tatimeve, i pyetur për individët me makina luksoze, tha se, sipas një analize risku, janë identifikuar rreth 200 individë me risk të lartë.

“Këta ishin individë që ne i konsideruam me risk të lartë, pra kishin makina të shtrenjta, por nga ana tjetër nuk kishin asnjë deklarim në administratën tatimore, pra ishin në njëfarë mënyre të paidentifikuar. Dhe për këtë u përzgjodhën për këtë arsye dhe, në dijeninë time, kontrollet kanë qenë mjaft efektive dhe i janë vënë penalitetet për çdo, pothuajse për çdo kontroll që është bërë.

Penalitetet kanë qenë në vlerë për rreth pak a shumë 700 mijë euro, diçka e tillë. Dhe, sikurse e thashë, vlera nuk ka asnjë rëndësi për ne në këtë rast, për faktin se me atë që ne mbledhim, pra që thashë, sivjet është rreth 5 miliardë euro, këto janë gjëra që kanë një impakt mjaft minimal.

Por ama kanë një impakt shumë të fortë në ndryshimin e kulturës së qytetarëve, në kuptimin se çfarë duhet të paguajnë, si duhet të paguajnë, pra edukimin dhe informimin e tyre. Dhe prandaj ne tërë kohës jemi sa më tepër transparentë, i bëjmë publike, në mënyrë që qytetarët të reflektojnë dhe të mos bëhen pastaj subjekt i kontrolleve tona, që do të krijonte edhe pjesën administrative, pjesën penale, pra që do të krijonte probleme në bizneset e tyre”, tha Binaj.

Binaj shtoi se kryefjala e punës së administratës tatimore është formalizimi. Ai tha se kontrollet kryhen edhe me kamera.

“Qasja është gjithmonë me pop-up-e, me informim, pra për 2-3 muaj bëhen, dërgohen mesazhe të njëpasnjëshme për t’u treguar tatimpaguesve se ku duhet të jetë apo si duhet të formalizohen. Pastaj kjo fazë mbaron, në një grup shumë të vogël bëhen inspektimet.

Kontrollet kanë qenë shumë të reduktuara, pra qasja jonë është për t’i ulur kontrollet në terren, në mënyrë që të mos krijojmë impakt te qytetarët. Është zgjedhur një qasje që regjistrohet me kamerë, pra të gjitha aksionet që ne bëjmë në kuadër të strategjive për formalizim regjistrohen me kamerë.

Një pjesë e tyre pastaj publikohen edhe për publikun, për të kuptuar se çfarë ndodh kur ata nuk bëjnë deklarimet e duhura. Dhe kjo ka qenë pak a shumë strategjia jonë”, vijoi Binaj.

“Fokusi ka qenë te sigurimet shoqërore dhe te tatimi mbi të ardhurat personale, por nga ana tjetër, rritja e tyre nënkupton ulje të fitimit për kompanitë, që do të thotë pastaj reduktim të një tatimi tjetër. Dhe duke qenë se sigurimet shoqërore dhe tatimi mbi të ardhurat personale krijojnë një vlerë më të madhe se ç’do të krijonte tatimi korporativ, strategjia jonë ishte që të ndiqnim këtë lloj taksash, për faktin se kanë një impakt më të lartë dhe, nga ana tjetër, janë të mirëpritura edhe nga qytetarët për pensione më të larta”, tha Binaj.

Binaj foli edhe për digjitalizimin dhe dorëzimin automatik të DIVA-s.

“Në lidhje me paraplotësimin e TVSH-së dhe DIVA-s, ishte pjesa e digjitalizimit, pra për të lehtësuar shërbimin dhe jetën e qytetarëve dhe tatimpaguesve. Në sistemin tonë, të gjitha të dhënat që vijnë nga faturat që këta bëjnë në mënyrë elektronike kalojnë automatikisht te deklaratat e tyre dhe pastaj ata thjesht duhet ta konfirmojnë këtë gjë.

Ndërkohë, jemi duke zhvilluar në këtë moment pjesën e dorëzimit automatik nga sistemi. Pra, nëse qytetarët harrojnë ta deklarojnë deklaratën, atëherë pas 24 orësh deklarata përmbyllet dhe deklarohet nga administrata tatimore.

E njëjta gjë është edhe me DIVA-n. Besoj shumëkush nga ju mund ta ketë provuar, pra kur bën deklaratën e DIVA-s, të dhënat dalin automatikisht. Është detyra pastaj e çdo qytetari për të validuar numrat që vijnë nga databazat e ndryshme”, tha Binaj.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›