E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet shtojnë kontrollet ndaj tregtisë online, në fokus formalizimi dhe konkurrenca e ndershme

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Administrata Tatimore ka vendosur në fokus tregtinë dhe shërbimet online, duke paralajmëruar shtimin e monitorimeve dhe verifikimeve për subjektet që ushtrojnë aktivitet ekonomik në internet.

Përmes Planit Sektorial për Tregtinë dhe Shërbimet Online, Administrata Tatimore synon të rrisë respektimin e detyrimeve tatimore, formalizimin e aktivitetit ekonomik dhe garantimin e konkurrencës së ndershme ndërmjet operatorëve.

Sipas Administratës Tatimore, zhvillimi i aktivitetit ekonomik në internet sjell nevojën për një monitorim më të madh të përmbushjes së detyrimeve tatimore nga subjektet që operojnë në këtë sektor.

Në këtë kuadër, subjektet e tregtisë dhe shërbimeve online ftohen të marrin masat e nevojshme për të garantuar zbatimin e legjislacionit tatimor në fuqi.

Administrata Tatimore u bën thirrje bizneseve që ushtrojnë aktivitet online të sigurojnë përmbushjen e detyrimeve të tyre, në funksion të një tregu më formal dhe konkurrues.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›