E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taulant Balla godet me shkelma deputetin Kadilli në studion televizive

Incident i rëndë mbrëmjen e djeshme gjatë zhvillimit të një debati politik në televizionin informativ News 24, deputeti socialist Taulant Balla, godet me shkelma deputetin demokrat Fatbardh Kadilli dhe lëshon ndaj tij një “lumë” kërcënimesh me vdekje.

Gjithçka ndodhi ndërsa në emisionin e gazetarit Artur Zheji, ishin përballë njëri-tjetrit dy deputetët, Balla dhe Kadilli, në debatin me temë “sloganet e partive politike në fushatën elektorale, a e përfaqësojnë këto slogane një parti politike?”.

I pyetur nga “Koha Jonë”, pas emisionit që precipitoi në dhunë fizike, z.Kadilli konfirmoi se ishte goditur nga kolegu i tij në Parlament, Taulant Balla.

“Ne ishim duke debatuar lidhur me përballjen PD-PS në zgjedhjet që po afrojnë dhe në pikën e debatit për korrupsionin, z.Balla reagoi në mënyrë të papërgjegjshme në pyetjen e shtruar prej meje lidhur me pasuritë e deklaruara. Pyetja ishte: 75 mijë eurot që ke deklaruar se ke marrë dhuratë për dasmën, i kishe të dhuruara nga bashkëshortja apo nga person tjetër”, - detajoi për “Koha Jonë”, z.Kadilli fillesën e incidentit. Ndërsa pyetja ishte konkrete dhe z.Kadilli i përmendi deputetit Balla se duhet të përgjigjej nëse dhuratën e kishte nga bashkëshortja apo z.Sadri Abazi, biznesmen i njohur ndërtimesh, reagimi i Ballës ishte i dhunshëm.

Në momentet që drejtuesi i emisioni ndërpreu transmetimin duke vendosur hapësirë publicitare ka ndodhur edhe përplasja e fortë.

“Befas z.Balla m’u vërsul duke më goditur me shkelma dhe duke më sharë dhe kërcënuar. Kërcënimet ishin me jetë”, - pohon z.Kadilli. Ngjarja shkaktoi në brendësi të studiove televizive, kaos, sepse sikurse detajon Kadilli, z.Balla tentoi sërish të godiste deputetin demokrat por u arrit të mbahej në irritim e sipër nga kameramanët dhe persona të tjerë të stafit televiziv. Ndërkohë, e gjithë skena u shoqërua me kërcënime të tipit “Do të vras, do të zhduk nga faqja e dheut”, që sikurse pohon z.Kadilli, nuk u kursyen nga deputeti socialist.

Kadilli thekson se sulmi fizik ndaj tij nga deputeti Balla erdhi pikërisht kur i deklaroi: “Ti je i dënuar për shpifje dhe nuk ke paguar detyrimin. Je shpifës me vendim gjykate, shko paguaj dëmin që ke shkaktuar” dhe më tej, i përmendi “pasurinë fshehur”.

“Ky incident i rëndë erdhi ndërsa unë shtrova pyetjet se si ka mundësi që z.Balla ka marrë një apartament 75 mijë euro dhuratë nga vjehrri, dhuratë 70 milionë lekë një makinë, apartament në Durrës, duke i quajtur pajë dasme”, - deklaroi z.Kadilli. kurse shtoi: ”Ti sa ke vjedhur, sa e ke patur deklaratën e pasurisë kur ke hyrë në shtet, zero. Sot ke 3 shtëpi dhe një makinë 70 milionë euro. Nga të doli toka në Spitallë, 20 mijë euro. Nuk e ke shitur por ke gënjyer..., 20 mijë euro të ardhura sikur ke shitur tokë, por nuk e ke shitur. Ik nga politika, jep dorëheqjen”, - ishte akuza dhe kërkesa e z.Kadilli që gjatë transmetimit direkt mori vetëm këtë përgjigje: “Kërko falje që fyeve”, duke pasuar me përgjigjen e z.Kadilli: “Ti je shpifës me pagesë”, për t’u mbyllur më pas me incidentin e dhunshëm.

Z.Kadilli nuk konfirmoi nëse do të depozitojë kallëzim penal ndaj z.Balla, porse shtoi se prokuroria duhet të nisë hetime ndaj deputetit socialist. Në fakt kjo ishte dhe sugjerimi i z.Balla gjatë emisionit: “Unë nuk kam gënjyer. Më padit në prokurori”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›