Tavo: Mbaroi historia e atyre që e shfrytëzuan Himarën për interesa të ngushta politike

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo deklaroi sot se, mbaroi historia dhe epoka e atyre që e kanë shfrytëzuar Himarën dhe himariotët për interesa të ngushta politike dhe private.
Në një takim me banorët e Himarës ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Tavo tha se, “nuk menduam të bëjmë takim përmbyllës, sepse ne kemi pasur mundësi në çdo fshat ku kemi qenë, në çdo takim ta kthenim në një miting sepse realisht pritja e njerëzve ka qenë, në çdo qendër ku kemi vajtur, madhështore. Kështu që menduam që të mos i mundojmë njerëzit të vijnën në Himarë për të treguar forcë sepse ne jemi të fortë”.
Duke folur për çështjen e certifikatave të pronësisë, Tavo tha se, “çështja e certifikimit nuk është bërë pjesë fare e fushatës, pasi e kam konsideruar gjithmonë një të drejtë që duhet ta përfitonin që nga 1991. Më në fund po zgjidhet. Edhe më skeptikët realisht janë bërë njerëzit që besojnë më shumë në këtë proces”.
“Do vazhdojmë, s’ka lidhje me fushatën. Do vazhdojmë deri në momentin e fundit. Në fund të tetorit shtëpitë dhe pastaj me gjithë çështje te tjera, pronat e tjera për t’i zgjidhur përfundimisht, që në Himarë të mos ekzistojë më ky problem, zero”, u shpreh ai.
Tavo theksoi se, “edhe ata që janë përpjekur herë pas here këtu të gjëjnë shesh për të bërë përshesh të mos kenë më terren dhe nuk do të kenë më terren në Himarë. Jam i sgiurt. Unë e kam ndjerë në çdo takim që kam bërë me çdo himariot. Mbaroi historia dhe epoka e atyre që e kanë shfrytëzuar Himarën dhe himariotët për interesa të ngushta politike dhe private”.
“Himara është e himariotëve. Himariotët kanë të drejtë të krenohen me historinë e tyre të lavdishme me të parë te tyre dhe këtu nuk ka lidhje fare as gjuha që përdoret. Kushdo është i lirë të flasi çfarë të dojë. Unë në rrugë u flas njerëzve, kush do greqisht i flas greqisht, kush do shqip i flas shqip dhe kush do anglisht i flas anglisht. Çështja e gjuhës këtu janë përpjekur ta përdorin deir diku për të krijuar tymnajë kundër nesh por u ra dhe kjo. Pra jemi i gjithë grupi, i gjithë stafi në gatishmëri për të, jo vetëm fituar këtë betejë të së dielës, datës 4, por për të vazhduar më mbrapa po bëhemi gati në mënyrë që Hiamra dhe himariotët të ndjejnë ndryshimin e madh në datën 5”, tha Tavo.