E Diel, 1 Nëntor 2026

Tavo inspekton zonën e Manastirit të Athalit: Vijon evidentimi i dëmeve nga zjarri

TIRANË, 7 shtator/ATSH/ Kryetari i bashkisë Himarë, Vangjel Tavo vizitoi sot zonën e Manastirit të Athalit, për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga zjarri i disa ditëve më parë.

Tavo informoi se vijojnë inspektimet në terren, zonë më zonë, për të evidentuar dhe dokumentuar pasojat e zjarrit.

Sipas tij, “nga evidentimi i deritanishëm, në këtë zonë janë konstatuar kryesisht djegie të shkurreve, pa dëmtime të tjera ekonomike të raportuara”.

“Sot ishim në zonën e Manastirit të Athalit, një vend me rëndësi të veçantë për banorët e zonës. Së bashku me ekipet në terren inspektuam zonën dhe verifikuam dëmet e shkaktuara. Puna do të vijojë gjatë gjithë javës, zonë më zonë, për evidentimin dhe dokumentimin e plotë të dëmeve, përfshirë ullinjtë e djegur dhe pasojat e tjera në mjedis”, shkruan Tavo.

Tavo siguroi se prania në terren do të vijojë çdo ditë, me qëllim evidentimin e plotë të situatës dhe rikthimin e normalitetit në zonat e prekura nga zjarri.

“Jemi në terren dhe do të vijojmë të jemi pranë çdo banori dhe çdo zone të prekur”, tha ai.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›