Të apasionuar pas perëndimeve dhe muzikës, eksperiencë magjike në Durrës nga “Triangle – From Stone to Concrete”

Atmosfera festive ka dhuruar edhe mbrëmja e dytë të festivalit “Triangle – From Stone to Concrete” që po zhvillohet në Durrës. Te sheshi i Sfinksit, qytetarë dhe pushues ndoqën performancat e DJ-ve shqiptarë, të cilët sollën zhanre të ndryshme muzikore, duke krijuar një mbrëmje të veçantë verore pranë bregdetit.
Krahas muzikës, vizitorët patën mundësinë të ndalen edhe në ekspozitën fotografike “Sunset Lovers – Të apasionuarit pas perëndimeve”.
Fotografi Griseld Hoxha prezantoi 15 fotografi të perëndimeve të kapura në zona të ndryshme të Durrësit, duke sjellë përmes objektivit bukurinë e qytetit dhe detit në orët e fundit të ditës.
Pjesë e këtij eventi multikulturor është dhe DJ nga Tajvani, Weihan Chao, duke dhuruar muzikë house dhe techno
“Po kaloj shume mirë. Njerëzit këtu janë shumë të dashur, dhe atmosfera magjike .Muzike dhe perendime, thjesht e adhuroj !”, shprehet Weihan Chao.
Festivali vijon edhe në mbrëmjet e ardhshme me programe të pasura artistike.Të premten mbrëma një bandë do të interpretoje repertorin e artistit italian Vasko Rossi, ndërsa të shtunën “Triangle” kulmon me performancat e violinistit Olen Cezari dhe DJ-së francez Charles B.
/rtsh.al/