E Martë, 3 Nëntor 2026

Të ardhurat rriten me 13.6 % në 7 muajt e parë të 2023, kontributin kryesor e dhanë bizneset dhe të punësuarit

Në 7 muajt e parë të vitit 2023 janë arkëtuar të ardhura 372 miliardë lekë. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se krahasuar me harkun e muajve janar–korrik të një viti më parë, të ardhurat janë zgjeruar me 13.6 për qind. Gjatë këtyre 7 muajve, kontributin kryesor në rritjen e të ardhurave e kanë dhënë bizneset dhe të punësuarit.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 5.1 miliardë lekë ose 7.5% më shumë se 7-mujori 2022. Rritje dyshifrore ka shënuar për këtë 7-mujor edhe Tatimi mbi të ardhurat personale me 7.4 miliardë lekë ose 28.8% më shumë se 7-mujori 2022.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore u realizuan në masën 79.7 miliardë lekë ose 17.2% më shumë se 7-mujori 2022.

Ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën shtatë mujore të vitit 2023, arritën në rreth 326.5 miliard lekë me një realizim në masën 91 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 ky zë ka rezultuar 4.6 për qind më i lartë.

Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për periudhën 7-mujore të vitit 2023 u realizuan në masën 46.8 për qind të planit vjetor. Pjesa më e madhe e këtyre parave rezulton të ketë shkuar për punë publike, si investime në infrastrukturë, ujësjellës dhe shërbime.

Me gjithë shpenzimet e shkuara, të ardhurat në nivele rekord kanë bërë që ekonomia e vendit ta mbyllë bilancin e 7 muajve të vitit në mënyrë pozitive me 36.2 miliardë lekë të kursyera.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›