E Diel, 1 Nëntor 2026

Të dhëna të FBI dhe intervistat e atyre që akuzojnë Trump, zhduken disa dokumente në dosjen “Epstein”

Dhjetëra intervista me dëshmitarë të FBI-së nga hetimi i Jeffrey Epstein duket se mungojnë nga koleksioni masiv i dosjeve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë amerikan. Kështu thotë CNN, ku mes dokumenteve të zhdukura përfshihen tre intervista që lidhen me një grua që akuzoi Presidentin Donald Trump për sulm seksual ndaj saj dekada më parë.

Po sipas medias amerikane CNN, një regjistër provash i ofruar avokatëve të bashkëpunëtores së Epstein, Ghislaine Maxwell, përfshin numra serialë për rreth 325 të dhëna intervistash të dëshmitarëve të FBI-së, por më shumë se 90 prej këtyre të dhënave, mbi një e katërta e listës, nuk janë në faqen e internetit të Departamentit të Drejtësisë.

Midis këtyre të dhënave që mungojnë janë tre intervista që lidhen me një grua, e cila i tha agjentëve se Epstein e kishte abuzuar vazhdimisht që kur ajo ishte afërsisht 13 vjeç, dhe e cila gjithashtu akuzoi Trump për sulm seksual ndaj saj.

Një ligjvënës demokrat foli për dokumentet që duket se mungojnë, për të vënë në pikëpyetje shkallën e publikimit nga Departamenti i Drejtësisë dhe nëse administrata Trump ndoqi ligjin që i detyronte agjencisë të publikonte dosjet e saj që lidhen me Epstein.

“Kemi një të mbijetuar që bëri akuza serioze kundër presidentit. Por ekzistojnë një sërë dokumentesh, dhe duket se janë intervista të mundshme që FBI-ja ka kryer me të mbijetuarin, që në fakt janë të zhdukur, në të cilat ne nuk kemi qasje,” tha për CNN demokrati Robert Garcia, anëtar i Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve.

Trump vazhdimisht ka mohuar çdo shkelje në lidhje me Epstein. Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë i quajti akuzat kundër Trump të rreme, ndërsa një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë mohoi se çdo e dhënë e Epstein ishte fshirë dhe theksoi se departamenti po ndiqte ligjin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›