Të dhënat e Frontex, ulje me 37% e hyrjeve të parregullta në BE gjatë 7 muajve të parë të vitit

Kalimet e parregullta kufitare në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian kanë shënuar një rënie të konsiderueshme prej 37% gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave paraprake të bëra publike nga Agjencia Evropiane e Rojes Kufitare dhe Bregdetare (Frontex), gjatë këtij harku kohor janë regjistruar rreth 61,000 zbulime të hyrjeve të paautorizuara. Agjencia sqaroi se në këto shifra nuk përfshihen ngjarjet e jashtëzakonshme të regjistruara në fund të muajit korrik në enklavën spanjolle të Ceutës.
Ndyshimet sipas rrugëve kryesore
Pavarësisht rënies së përgjithshme në shkallë kontinentale, dinamika e lëvizjes ndryshon në mënyrë të ndjeshme sipas rajoneve detare:
- Mesdheu Lindor: Mbetet rruga më e frekuentuar drejt BE-së me 20,232 zbulime, me një rënie prej 28% krahasuar me vitin e kaluar.
- Mesdheu Qendror: Ka regjistruar rënien më të madhe të fluksit me -55%, duke arritur në 16,454 kalime.
- Mesdheu Perëndimor: Në kundërshtim me trendin e përgjithshëm, kjo rrugë ka pësuar një rritje prej 37%, duke shënuar 11,217 hyrje të parregullta.
“Rruga e Mesdheut Lindor mbetet më e popullarizuara, me 20,232 zbulime (-28%), e ndjekur nga Mesdheu Qendror me 16,454 (-55%). Në kundërshtim me trendin, Mesdheu Perëndimor, e vetmja rrugë kryesore që ka parë rritje, ka 11,217 kalime, një rritje prej 37%,” bën të ditur Frontex në raportin e tij.
Të dhënat tregojnë një zhvendosje të dukshme të itinerareve të migracionit, ku masat e rritura të kontrollit në Mesdheun Qendror kanë sjellë ulje të presioneve në atë rajon, ndërsa vërehet gjallërim i flukseve në korridorin perëndimor.
/rtsh.al/