E Diel, 1 Nëntor 2026

Të dhënat e tjera të censusit: Një në katër familje ka makinë, 77% e banesave kanë ujë të rrjedhshëm

Veç etnisë dhe fesë në census vihet re edhe një rënie të popullsisë banuese prej 8%.

Sipas drejtoreshës së INSTAT, Ines Nurja, numri i femrave krahasuar me vitin 2001 ka pësuar rënie në masën 9.2%, ndërsa meshkujve 8.3%.

Për herë ta parë popullsia në zonat urbane i tejkalon popullsinë në zonat rurale: 53,5% e popullsisë jeton në zonat urbane, ndërsa 46.5 e saj jeton në zonat rurale.

Edhe numri i familjeve ka pësuar rënie. Nga 726.895 familje që kanë qenë më 2001, janë 722.262 familje dhe numri i anëtarëve është 3.9 nga 4.1 që ka qenë.

Ndërsa përsa u përket pajisjeve shtëpiake, vihet re se 92% e familjeve zotërojnë televizor, lavatriçe 80.2%,frigoriferë 92.4%, linjë telefoni 28.5%, aparat celular 86,8% e familjeve, makinë 24,8% e familjeve, kompjuter 20% e familjeve, më 2001 vetëm 2% kishin kompjuter, dhe 82.3 % e familjeve që kanë kompjuter janë në qytet dhe 17.7 në zotat rurale.

598.267 ndërtesa janë të banuara, mbi 80% janë shtëpi individuale, 3.7% janë pallate, 1.0% e ndërtesave kanë më shumë se 6 kate, 2.1% kanë nëntë apo më shumë banesa, rreth 77% e banesave kanë ujë të rrjedhshëm, në zonat urbane kjo përqindje është 90.9%.

Në Shqipëri janë 137.435 persona me aftësi të kufizuara, ku 45.3% janë meshkuj dhe 54.7% janë femra. Numrin më të lartë të personave me aftësi të kufizuara e ka Gjirokastra me 8.0% për shkak se popullsia në këtë qark është 65 vjeç e lart më e larta në rang vendi.

2.8% e popullsisë janë analfabetë. Kësaj shifre i shtohen edhe 29.755 veta, të cilët ndonëse nuk kanë shkuar në shkollë asnjëherë, dinë të shkruajnë e të lexojnë.

50% e analfabetëve i përkasin moshës 75 vjeç e lart, ndërkohë që janë analfabete 3.7% e femrave dhe 1.7% e meshkujve. Qarku i Tiranës, i ndjekur nga Kukësi dhe Durrësi kanë nivelin më të ulët të analfabetizmit, ndërsa qarku i Lezhës dhe i Elbasanit nivelin më të lartë.

Përqindjen më të lartë të individëve me të paktën një diplomë universitare e kanë qarqet e Tiranës, Vlorës dhe Gjirokastrës, ndërsa më të ulët Dibra dhe Lezha.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›