E Diel, 1 Nëntor 2026

Të enjten jepet verdikti ndaj “Petkoviqit dhe të tjerëve”

Në kinemanë “ABC 1” në Prishtinë, Gjykata Themelore e Prishtinës ka vijuar me procedimin e rastit të njohur si “Petkoviq et alia”, ku si të pandehur janë Sllavisha Petkoviq, ish-ministër i Kthimit dhe Komuniteteve (MKK); Branisllav Gërbiq, ish-sekretar permanent dhe ish-ministër i MKK-së; Nemanja Vujoviq, ish-punonjës në logjistikë dhe ish-shef i prokurimit në MKK dhe më vonë zëvendësministër në Ministrinë e Shëndetësisë, shkruan gazeta Jeta në Kosovë.


Muhamet Sadiku, pronar i firmave të ndërtimit “3 Labi” dhe “Art – Piraci”; Ruzhdi Prebreza, pronar i firmave të ndërtimit “N.N.P. Era-M” dhe “Projekti Group”; Ismet Hasani, pronar i firmës së ndërtimit “N.N. Valoni”; Rifat dhe Fidan Sadiku (babë e birë) pronarë të firmave të ndërtimit “N.P.Sh. Riar-Alfisi” dhe “Riar”; Shemsi Haliti, pronar i firmës së ndërtimit “N.N.T. Brezi Kufitar”; Gani Zeneli, pronar i firmës së ndërtimit “N.Sh. Atdhetari” dhe Driton Hamiti, pronar i një kompanie për përpunimin e drurit “N.N.P. Diti”, po ashtu akuzohen.

Kundër dy ish-ministrave Petkoviq e Gërbiq rëndojnë akuzat për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, shpërdorim, mashtrim në detyrë, falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe falsifikim i dokumenteve. Të gjitha veprat, pos atë të shpërdorimit të pozitës ose autorizimit, i kishin kryer në bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë.

Nemanja Vujoviq, pos që akuzohet për të gjitha këto vepra penale, ngarkohet edhe për marrje të ryshfetit nga Ruzhdi Prebreza, i cili akuzohet për dhënie të tij.

Zhvillimit të një procedure zinxhirore e cila ka qenë aktuale që nga gushti i vitit 2010, kur prokurorja speciale, Maria Bamieh, e kishte ngritur aktakuzën, po i afrohet fundit. Në seancën e të martës u bë përmbledhja e procesit penal, me ç’rast palët shpalosën fjalët përfundimtare.

Ashtu si dhe referojnë dispozitat e KPPK-së, prokurorja e rastit ishte e para në dhënien e fjalës përfundimtare. Kjo e fundit deklaroi se në bazë të provave të administruara është pasqyruar gjendja faktike e shpalosur në aktakuzë, andaj kërkoi që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në bazë të ligjit.

Avokati mbrojtës i Rifat Sadikut theksoi se i mbrojturi i tij në këtë çështje është implikuar pa pasur lidhje me të tjerët dhe se ai është viktimë e rastit dhe supozimeve hipotetike të Prokurorisë.

Mbrojtësi i të pandehurit Gani Zeneli, në fjalën e tij përfundimtare, tha se aplikimi i nenit 23 të KPK-së nuk mund t’i referohet të mbrojturit të tij, meqë për ekzistimin e bashkëkryerjes është e nevojshme të ekzistojë bashkëpunimi, kurse në rastin konkret paraprakisht nuk ka pasur marrëveshje midis të pandehurve.

“Nga të gjithë dëshmitarët e propozuar nga ana e prokurorisë, askush nuk ka bërë përshkrimin e kundërligjshmërisë së veprimeve të Gani Zenelit lidhur me marrëdhëniet afariste që personi në fjalë ka pasur në Ministrinë për Kthim”.

Ndër të tjera, e vetmja dëshmitare që ka deklaruar lidhur me veprimet e Gani Zenelit ka qenë Erisa Rexhepi, e cila ka thënë se i pandehuri ia ka riparuar shtëpinë e vjetër, e gjatë këtij procesi shtëpia është shembur, andaj është paraqitur nevoja që të ndërtohet nga themeli. Pikërisht për këtë punë është paguar Gani Zeneli, e veprimet e tija nuk kanë qenë të atilla që ky të fitojë dobi pasurore që nuk i takon, shtoi avokati.

Avokati mbrojtës, Mentor Neziri, nxori në pah çështjen e kontratave të cilat nuk kanë qenë të specifikuara lidhur me atë se ku duhet kryer punët, cilat shtëpi saktësisht është dashur të rinovohen, si dhe faktin se këto kontrata kanë qenë të përpiluara në gjuhën serbe.

Në fjalën e tyre përfundimtare, shumica e të pandehurve mbështetën fjalën e mbrojtësve të tyre, megjithatë kishte dhe prej atyre të cilët kishin përgatitur fjalim individual drejtuar panelit.
Sllavisa Petkoviq e cilësoi këtë gjykim si të pazakonshëm dhe të bazuar në disa fakte të çuditshme, meqë kohë më parë prokurorja Roberta Baldini, e cila kishte dhënë urdhër për bastisjen e Ministrisë së Kthimit, nuk kishte propozuar hetime kundër tij.

“Megjithatë më vonë, papritmas unë u cilësova si i akuzuari kryesor i kësaj procedure. Në këtë çështje penale kanë dëshmuar 30 dëshmitarë dhe asnjëri prej tyre nuk ka përmendur se unë i kam kërkuar apo marrë të holla. Sa për dijeninë e të atyre që janë prezentë, në periudhën para luftës babai im ka pasur dy shtëpi me një sipërfaqe prej 400 metra katrorë. Kurse tani ai ka vetëm një shtëpi që përfshin një sipërfaqe prej 90 metra katrorë, meqë tjetra është shembur. A do të thotë kjo se nëse nuk bëhet rekonstruktimi i shtëpisë bëhet anashkalim e të drejtave të mija si serb i Kosovës?”, tha Petkoviq. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›