E Diel, 1 Nëntor 2026

Të festosh...si në Kandahar!

Të gjitha ata që e kanë përjetuar ndërrimin e viteve në Tiranë, përveç kënaqësisë kanë përjetuar edhe stresin. Tirana ka kutërbuar për dy ditë me radhë erë baruti. Kinezët, si gjithmonë kanë dalë të fituar nga kjo gjë: me mijëra tonë

fishekzjarre janë blerë nga shqiptarët dhe kryesisht nga fëmijët. Edhe një urdhër i nxjerrë ndoshta vitin e kaluar për kontrollin e lëndëve plasëse, duket se as që është marrë parasysh. Sërish rrugët e Tiranës, dhe të qyteteve të tjera kryesore janë kthyer në arena lufte, që të kujtojnë vitin e egër, 97. Dhe ky nuk është aspak një ekzagjerim.

Ende shqiptarët nuk janë mësuar të gëzojnë e festojnë në mënyrë civile, por me mallrat më të skaduara kineze, pa asnjë garanci dhe në duart e fëmijëve, kanë pritur 2007-ën! Të gjitha ata që bënë gafën të dilnin në shesh mbrëmjen e 31 dhjetorit e kanë parë sesi shashkat, plasëset dhe fishekzjarret të vinin kokës e këmbëve, dhe pati edhe goxha të verbuar dhe të dëmtuar.

Dhe jo vetëm kaq. Të gjitha ato lëndë plasëse, përveç se shikimit, dëmtojnë edhe aparatin e dëgjimit të atyre që i përdorin dhe të atyre që kalojnë atypari në rrugë! Por këtë nuk e merr kush parasysh sepse:

1- Shqiptarët, pra shoqëria jonë, nuk janë shëruar nga sindroma e të festuarit me luftë, armë e shpërthime. Këtu ka ndodhur që kanë vrarë nusen, vetëm sepse disa idiotë, gëzimin e tyre po idiot, donin ta shprehnin me të shkrehura armësh. Prandaj edhe të rinjtë, jo vetëm që nuk ndalohen nga të rriturit, por stimulohen prej tyre duke i dëmtuar nga të gjitha anët, dhe në fund të fund duke u shkaktuar familjeve shqiptare një dëm ekonomik.

2- Kjo mund të quhet edhe sindroma `97! Në atë kohë, të gjithë kemi qenë dëshimtarë, që ndoshta edhe qytetarët më të rregullt, u tunduan nga ndjenja kafshërore e festimit me armë, shkrehjes në ajër, shënjestrimit të tabelave, shtyllave dhe pse jo... edhe kalimtarëve! Jemi larguar nga 97-a, u bë një dekadë, por jo nga sindromat dhe mbetjet e saj!

Ka patur shumë të plagosur këtë vit. Mes tyre ka qenë edhe djali i ndonjë publicisti. Janë verbuar këta njerëz, vetëm e vetëm për kënaqësinë e momentit, e cila nganjëherë lë pasoja të pakthyeshme. Dhe do të ketë të tjerë, për aq kohë sa qeveria dhe organet kompetente, lënë që në vend të futen mallra të tilla. Në çdo vend të civilizuar fishekzjarret hidhen nga bashkitë dhe njësitë e tjera të qeverisjes vendore: hapni TV-të e shikoni sesi festojnë në kryeqytete të tjerë të botës!

Kurse ne shënjestrojmë ballkonet e pallateve përballë, makabrritet ky që mund të shkaktojë viktima! Në Paris, Londër, New York madje edhe në Pekin, ata e kanë zgjidhur, nuk lejojnë që fishekzjarret më bastarde kineze, shashkat e plasëset të mbushin qytetet, rrugët e lagjet, të verbojnë dhe shurdhojnë njerzit, të trembin kalamajtë që flenë e të bëjnë me zemër ndonjë xhaxhi apo teta pensoniste, që të shkretët janë duke kaluar rrugës! Unë nuk do të doja të isha në rolin e atyre këngëtarëve të shkretë që dalin e këndojnë natën e vitit të ri në sheshet e qyteteve shqiptare...

Dikush duhet të vejë dorë dhe të ndalojë atë që i sjell në Shqipëri këto produkte, qoftë ky edhe monopoli i ndonjë ish-zyrëtari apo zyrëtari aktual! MJAFT FESTUAM SI NE KANDAHAR!!!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›