Të huajt blejnë prona në Shqipëri, ekspertët: Çmimet në bregdet janë më të lira se në Greqi dhe Mal të Zi

Të huajt kanë shpenzuar gati 140 milionë euro për blerje të pasurive të paluajtshme gjatë periudhës korrik–shtator të këtij viti.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në total, në 9 muajt e parë të vitit, blerjet e të huajve kanë arritur në 392 milionë euro, duke u rritur me 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Zakonisht i blejnë për banim. Duke marrë parasysh që jemi në Mesdhe dhe duke i krahasuar me çmimet e vendeve fqinje si Greqia apo Mali i Zi, ne jemi rreth 30% më të ulët për sa i përket zonave bregdetare, çka bën që të vazhdojmë të jemi atraksion për të huajt”, shprehet Edmond Bejdo, agjent i pasurive të paluajtshme.
Edhe pse pjesa më e madhe i blejnë për banim, ka edhe nga ata që i konsiderojnë pronat si instrument investimi.
Sipas anketave të Bankës së Shqipërisë, gati 1 në 5 shtëpi të shitura blihet nga emigrantë dhe shtetas të huaj. Këta blerës janë gjithashtu pjesë e grupit që po presin fillimin e vitit të ri për të përfituar nga procesi i rivlerësimit të pronës me 5%.
“Normalisht ndikon shumë agjenti imobiliar që i ka shitur më parë një të huaji dhe informacioni që i jep në lidhje me legjislacionin shqiptar. Kur e kanë dëgjuar për procesin e rivlerësimit, po presin që ta kryejnë atë, njësoj si të gjithë pronarët e tjerë që kanë prona në shitje në vend”, shton Bejdo.
Sektori i pasurive të paluajtshme mbetet aktiviteti kryesor ekonomik ku të huajt investojnë, duke zënë rreth 30% të totalit të investimeve të huaja direkte në Shqipëri./vizionplus.tv