Të interpretosh pa duar në korno, performanca e rrallë e artistit nga Gjermania, koncert me muzikë klasike në Durrës

Sa virtuoz aq edhe frymëzues. Ndjeshmëria që e shoqëron në të gjitha performancat e tij e bën artistin nga Gjermania një njeri të shumë dimensioneve. Mënyra se si Felix Kleiser ka zgjedhur të sfidojë vështirësinë që ka nga mungesa e gjymtyrëve të sipërme paraqet një interpretim të rrallë në instrumentin e kornos.
Pjesëmarrja në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, por edhe çmimet e fituara në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës, tregojnë pasionin dhe dëshirën e tij për të mos u ndalur. Ai përdor me finesë gishtat e këmbës për të prodhuar tinguj. Ndërsa dhuroi një mbrëmje magjepsëse muzikore në mjediset e Katedrales Shën Lucia në Durrës, i lumtur për ndjesitë që përcolli në publik, artisti nga Gjermania foli për pjesëmarrjen në këtë koncert.
“Kam qenë në Shqipëri edhe para disa vitesh dhe së fundmi mora një ftesë për të ardhur në Durrës. Ishte një ide shumë e mirë dhe këtu më pëlqeu shumë ambienti, akustika ishte e mrekullueshme gjithashtu. Pashë shumë njerëz entuziastë në këtë koncert dhe më vjen mirë që e shijuan atë. Më parë kam dashur që këtë instrument ta luaj në kohën e lirë, në shkollë, për t’u argëtuar, jo të bëhem një profesionist. Por me kalimin e viteve, u desh shumë kohë në fakt që të arrij deri këtu, me durim dhe këmbëngulje”, tha Felix Kleiser, kornist.
Gjatë performancës së tij, Kleiser u shoqërua në piano nga artistja kosovare Lirika Pula Kasapolli, ndërsa në repertor u përfshinë pjesë nga virtuozët e muzikës klasike si Schumann, Strauss apo Beethoven. Ky koncert është dëshmi e fuqisë që ka muzika për të bashkuar kultura dhe për të sjellë art të vërtetë në zemrën e qytetit bregdetar.
/rtsh.al/