Të martën rinumërohen votat për Tiranën, Elbasanin, Fierin dhe Durrësin. KQZ: Mbi 2.300 QV, procesi zhvillohet nga 24 grupe

Nis më 17 qershor rinumërimi i kutive të votimit për 4 qarqe: Tiranë, Durrës, Fier dhe Elbasan. Ky proces, vjen pas vendimit të marrë nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve dhe do të realizohet në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se të gjitha kutitë e votimit brenda vendit në Qarkun Tiranë do i nënshtrohen nesër procesit të rinumërimit. Po ashtu, kutitë për subjektet dhe kandidatët në 9 KZAZ të Fierit, një total prej 587 qendrash votimi, do i nënshtrohen gjithashtu rinumërimit.
KQZ njofton se rinumërim të plotë do të bëhet edhe për 360 kuti të Qarkut Durrës, nga të cilat 275 brenda vendit dhe 85 jashtë vendit, ndërsa në qarkun e Elbasanit do të rinumërohen 94 qendra votimi në dy KZAZ.
24 grupe numërimi me 63 punonjës administrate, prej të cilëve 48 numërues dhe 15 zëvendësues, do të marrin pjesë në procesin e rinumërimit të 2.323 qendrave të votimit, përfshirë edhe 85 kuti votimi nga jashtë vendit.
Rinumërimi realizohet në 24 tavolina, ku janë të pranishëm vëzhgues të autorizuar nga 3 subjektet ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, Partia Socialiste dhe Partia Mundësia.
Qarqet ku do të zhvillohet rinumërimi
Qarku Tiranë
- Të gjitha kutitë e votimit brenda vendit
- 18 KZAZ
- 1.282 qendra votimi
Qarku Fier
- Të gjitha kutitë për subjektet dhe kandidatët
- 9 KZAZ
- 587 qendra votimi
Qarku Durrës
- Rinumërim i plotë për:
- 111 QV të KZAZ nr. 21 dhe 22
- 126 QV të listuara nga PD-ASHM
- 60 QV të kërkuara nga PLL
- Përfshirë edhe 85 kuti nga votimi jashtë vendit
- Në total: 360 kuti për rinumërim (275 brenda vendit + 85 jashtë)
Qarku Elbasan
- 94 QV të KZAZ nr. 45 dhe 52 (fletë votimi dhe materiale zgjedhore)
Transparencë edhe për buxhetin:
- 7.858.600 lekë për sistemin e regjistrimit dhe transmetimit online të rezultateve
- 8.480.000 lekë për infrastrukturën logjistike
- 4.775.450 lekë për zarfe dhe materiale ndihmëse
/rtsh.al/