“Të mbajmë inflacionin pranë 3%”, Banka e Shqipërisë: Synohet stabiliteti ekonomik dhe mbrojtje të fuqisë blerëse

Banka e Shqipërisë ka riafirmuar objektivin e saj kryesor për mbajtjen e inflacionit pranë nivelit 3%. Në një publikim të fundit, ndërsa ka deklaruar objektivin, autoriteti bankar i është referuar nivelit të 30 viteve për inflacionin mesatar në vend, rreth 3.1%.
Vendosja e synimit në kontekst të arritshëm dhe i mbështetur nga ecuria historike, është arsyetuar nga Banka e Shqipërisë, si mundësi ankorimi pritjesh të publikut dhe tregjeve.
Sipas saj, ky stabilizim ndihmon ekonominë të rritet në mënyrë të qëndrueshme, krijon punësim dhe ruan fuqinë blerëse të qytetarëve.
Ndërsa niveli i synuar konsiderohet i shëndetshëm për ekonominë dhe sigurues për një mjedis të parashikueshëm për konsumatorët dhe bizneset, në termat e jetës së përditshme, objektivi ka qasje konkrete.
Çmime më të parashikueshme, më pak tronditje në buxhetet familjare dhe vendime më të sigurta për shpenzime, kredi apo kursime vijnë si mbrojtje e fuqisë blerëse të qytetarëve.
Stabiliteti më i madh në çmime, më pak befasi në faturat mujore dhe një mjedis më i sigurt për të planifikuar financat familjare, e shtrin ndikimin te të gjitha familjet: përmes konsumit ushqimor, qirave, kredive të shtëpisë dhe shpenzimeve të përditshme më të qëndrueshme.
Nga ana tjetër, në një klimë të tillë, bizneset marrin sinjalet e duhura për investime, paga dhe çmime. Referuar shtytësve kryesorë të inflacionit në Shqipëri, grupi i ushqimeve dhe qiraja, energjia e shërbimet e banesës kanë ndikuar më fort në treguesin e inflacionit vitet e fundit, ndërsa transporti në disa periudha ka luajtur rol zbutës ose neutral.
Vështruar si rol i politikës monetare, vendimet e Bankës së Shqipërisë përmes një komunikimi të qartë të objektivit dhe pritshmërive të inflacionit ndikon në formimin e besimit të tregut ku investitorët dhe konsumatorët mund të hedhin hapa të informuar dhe të qëndrueshëm.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/