Të moshuarit përballë vetmisë, sociologia: Nevojiten më shumë shërbime sociale në komunitet

Vetmia dhe mungesa e mbështetjes sociale po shfaqen gjithnjë e më shumë si një problem për të moshuarit që jetojnë vetëm në juglindje të vendit. Përtej vështirësive ekonomike, izolimi social dhe mungesa e kujdesit të përditshëm ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe cilësinë e jetës së tyre.
Sociologët vlerësojnë se nevojitet forcimi i shërbimeve në komunitet përmes qendrave ditore, asistencës në banesë dhe programeve që nxisin përfshirjen dhe ndërveprimin social.
“Të gjitha instancat drejtuese të këtij vendi dhe të këtij rajoni duhet të punojnë fort për një strategji të re, ku emergjente të jetë krijimi i qendrave ditore. Nëpërmjet punonjësve socialë dhe infermierëve, këto qendra duhet t’u vijnë në ndihmë moshës së tretë. Jo vetëm duke krijuar hapësira ku të moshuarit mund të marrin shërbime, por edhe duke hartuar një grafik të posaçëm, në mënyrë që punonjësit e shërbimit social të shkojnë në banesat e tyre të paktën një herë në ditë. T’u trokasin në derë, të shohin se çfarë nevojash kanë dhe t’i asistojnë në përmbushjen e tyre”, tha sociologia, Maria Dojçe.
Një shërbim i tillë do të garantonte të paktën një nivel minimal kujdesi për të moshuarit që jetojnë vetëm, duke bërë të mundur që çdo ditë dikush të kontrollojë gjendjen e tyre fizike dhe psiko-emocionale.
Sipas ekspertëve, mbështetja për këtë grupmoshë duhet të jetë më e gjerë dhe të përfshijë shoqërimin, aktivitetet sociale, kujdesin shëndetësor dhe monitorimin periodik të të moshuarve që jetojnë vetëm.
Zgjerimi i këtyre shërbimeve do të ndihmonte në reduktimin e izolimit social dhe në krijimin e kushteve për një jetë më të sigurt, më aktive dhe dinjitoze për të moshuarit.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/