Të përndjekurit politikë, protestë para shtëpisë së ish-Presidentit Moisiu
Komenti i ish-Presidentit Alfred Moisiu për figurën e ish-kryeministrit komunist, Mehmet Shehu, ka nxjerrë në protestë të përndjekurit politikë. Instituti i të Përndjekurve Politikë dhe disa shoqata antikomuniste të ish-të dënuarve të diktaturës kanë protestuar para shtëpisë së ish-Presidentit. Drejtori i institutit, Simon Miraka, dhe anëtari i shoqatës antikomuniste, Gëzim Peshkëpia, të shoqëruar nga një grup ish-të përndjekurish politikë, e cilësuan si një regres të demokracisë këtë vlerësim. Për afro 30 minuta të përndjekurit politikë protestuan paqësisht, duke u shprehur se konventa evropiane për dënimin e krimeve të komunizmit nuk e njeh glorifikimin e udhëheqësve të diktaturave në vendet e Evropës Lindore. Sipas Simon Mirakës, drejtues i Institutit të të Përndjekurve Politikë, duke iu referuar fakteve historike të periudhës kur drejtoi Kryeministri Mehmet Shehu, kujtoi ngjarjen e bombës së ambasadës sovjetike, ku u dënuan me dhjetëra personalitete të kulturës dhe shtetit shqiptar.