E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rinjtë dhe poezia, inteligjenca artificiale sfidon krijimtarinë e të rinjve

Teknologjia dhe veçanërisht inteligjenca artificiale po bëhen gjithnjë e më të pranishme në mënyrën se si të rinjtë krijojnë, shkruajnë dhe shprehen.

Mjete si ChatGPT përdoren për të kërkuar ide, për të ndërtuar tekste, për të korrigjuar apo edhe për të krijuar tërësisht poezi dhe prozë.

Por për poetin Arjan Kallço, përvojat, emocionet, kujtimet dhe mënyra individuale e të parit të botës janë ato që i japin një vepre karakterin e saj, ndaj mbështetja e plotë te inteligjenca artificiale mund ta zbehë këtë dimension njerëzor.

“Normalisht që ChatGPT ndikon në frenimin, mendoj unë, të krijimtarisë sepse një nxënës ose një i ri, i cili dëshiron të hyjë në krijimtari duhet patjetër të ketë atë që quhet formimi i përgjithshëm dhe ky formim i përgjithshëm nuk ta jep ChatGPT-ja, por ai vjen si rezultat i leximit, i studimit, i mësimit. Për më tepër, në krijimtari që duhet të njohësh shumë mirë gjuhën shqipe në themel, duhet të njohësh trashëgiminë tonë kulturore, duhet të njohësh letërsinë tonë, por pa lexuar dhe pa i shfletuar këto gjë, besoj se bëhet shumë e vështirë, një formim i plotë”, tha poeti Arjan Kallço.

Nga ana tjetër, ChatGPT mund të shërbejë si një mjet ndihmës, nëse përdoret për kërkim idesh, strukturim, korrigjim gjuhësor apo eksperimentim, ndërsa krijimi dhe përmbajtja mbeten në duart e autorit dhe për këtë domosdoshmëri ngelet shfletimi i librave sipas Kallços.

“Një grup të rinjshë të apasionuar për leximin, por kemi një përqindje shumë të madhe të rinjve që nuk lexojnë dhe mjaftohen me leximin në kompjuter ose në telefon, sepse nuk duhet të humb ajo tradita e bukur e shfletimit të librit. Duhet ta prekësh fizikisht librin”, tha ai.

Sfida për të rinjtë sot nuk është të shmangin teknologjinë, por të mësojnë ta përdorin atë pa humbur zërin, origjinalitetin dhe identitetin e tyre krijues.

Gazetare: G: Manushi    

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›