Të rinjtë dhurojnë aparat EKG në Livadhja, banorët e merrnin këtë shërbim në Sarandë

Qendra Shëndetësore e Livadhjasë jep shërbimin parësor shëndetësor tek banorët e 13 fshatrave të kësaj njësie administrative. Shpeshherë ka ndjerë mbështetjen e shoqatave që ushtrojnë aktivitet në Bashkinë e Finiqit.
Shoqata “Bashkimi i Rinisë Finiq” ka organizuar herë pas here aktivitete bamirësie, ku me të ardhurat e mbledhura janë blerë objekte apo mjete për t’ia dhuruar Qendrave Shëndetësore.
Para pak javësh, të rinjtë e të rejat e zonës kanë dhuruar pranë kësaj Qendre Shëndetësore një aparat elektrokardiogram.
“Kjo ka qenë një ndihmesë vërtet e madhe për ne. Në fillim të rinjtë erdhën një apo dy muaj më parë te qendra jonë dhe na thanë se për se kishim më tepër nevojë. EKG-ja është goxha e kushtueshme dhe na thanë që ndoshta nuk do të arrinin të mblidhnin kaq shumë fonde. Jemi çuditur që brenda kaq pak muajve mblodhën fondet dhe na bënë dhuratë EKG-në,” thotë Nikolina Koçi, drejtoresha e Qendrës Shëndetësore.
Tashmë, banorët e Njësisë Administrative Livadhja nuk kanë nevojë të udhëtojnë larg vendlindjes për analizën e EKG-së.
“Në qoftë se kishin probleme kardiake, pacientët referoheshin te spitali i Sarandës,” tregon Dr. Koçi.
Të rinjtë e të rejat e Finiqit kanë dhuruar aparate të ngjashme edhe në 3 Qendra tê tjera Shëndetêsore të kësaj njësie vendore.
/rtsh.al/