E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Të rinjtë po mbushin kishat”, Dom Ivani: Krishtlindja përtej simbolikës, ja pse duhet ruajtur harmonia fetare

Festa e Krishtlindjes këtë vit ka sjellë një fenomen shpresëdhënës për klerin katolik në Shqipëri: rikthimin e masiv të të rinjve drejt institucioneve të kultit.

I ftuar në emisionin “Tema e Ditës” nën drejtimin e Arbër Hitajt, Dom Kreshnik Ivani ka bërë një analizë të thellë të festës, duke theksuar se ajo është shumë më tepër se sa një datë në kalendar apo një simbolikë e thjeshtë; për besimtarët, ajo është “prani reale e Jezu Krishtit”.

Trendi i ri, të rinjtë dhe teknologjia

Sipas Dom Ivanit, ajo që ra në sy gjatë meshës së shenjtë të këtij viti ishte pjesëmarrja e lartë e grupmoshave të reja.

“Në kishën katolike ka një trend pozitiv të pjesëmarrjes së të rinjve. Edhe në meshën e shenjtë, shumica ishin nën moshën 50 vjeç,” tha ai, duke shtuar se kishte prani edhe nga besimtarë të feve të tjera, një dëshmi e harmonisë fetare në Shqipëri.

Kleriku preku edhe plagën moderne të izolimit teknologjik. Sipas tij, ndonëse teknologjia i ka larguar njerëzit fizikisht duke krijuar një boshllëk shpirtëror, të rinjtë po e gjejnë ngushëllimin dhe mbushjen e këtij boshllëku duke kërkuar Zotin realisht.

Harmonia fetare

Një mesazh i fortë u përcoll për harmoninë fetare, të cilën Dom Ivani e cilësoi si një vlerë mbarëbotërore të Shqipërisë, por që nuk duhet marrë si e mirëqenë përgjithmonë.

“Ne duhet të punojmë fort që ta ruajmë. Ku ka kriza, hyjnë lehtë edhe qasje ekstreme. Ndaj duhet ta ruajmë këtë harmoni,” paralajmëroi ai.

Gjeografia e besimit dhe shpresa

Dom Ivani vuri në dukje se ndonëse Kisha Katolike historikisht ka qenë më e përqendruar në Veri (veçanërisht në Shkodër), ajo është rritur ndjeshëm në Tiranë dhe periferitë e saj.

Në mbyllje, ai dha një mesazh optimizmi, duke kritikuar fokusin e tepërt të mediave tek lajmet negative.

“Njerëzit e jetojnë ndryshe realitetin. Ka shumë shpresë për ditët që vijnë dhe festa është shenjë shprese,” përfundoi Dom Ivani, duke kujtuar se periudha e festimeve zgjat deri më 8 janar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›