E Diel, 1 Nëntor 2026

Të shtëna me armë zjarri në Podujevë, 4 të plagosur, njëri prej tyre kalimtar i rastit

Katër persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një incidenti me armë zjarri, i ndodhur këtë të enjte rreth orës 13:30 në Podujevë.

Sipas autoriteteve, tre prej të plagosurve janë të përfshirë drejtpërdrejt në konflikt, ndërsa personi i katërt është një kalimtar i rastit, i cili u godit gjatë ngjarjes.

Të gjithë të lënduarit janë transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku po marrin trajtim mjekësor. Edhe pse kanë pësuar plagë të rënda nga armët e zjarrit, gjendja e tyre raportohet të jetë aktualisht e qëndrueshme.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, Basri Shabani, bëri të ditur se menjëherë pas marrjes së njoftimit, njësitet policore kanë dalë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet.

“Lidhur me motivin ende nuk mund të japim një konfirmim, pasi jemi në fazën fillestare të grumbullimit të informacioneve. Personat kanë lidhje familjare dhe kjo mund të jetë një nga pistat e hetimit, por për momentin nuk mund të themi asgjë me siguri”, deklaroi Shabani.

Policia e Kosovës vijon veprimet operativo-hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar personat e përfshirë në incident.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›