Të shtëna në jahtin luksoz në Palasë, policia shoqëron pronarin e “Globus Travel”

Policia ka ndaluar jahtin nga i cili dyshohet se janë qëlluar të shtëna me armë zjarri në ajër mbrëmjen e së dielës, në det përballë Palasës. Sipas informacioneve paraprake, në bord ndodhej edhe pronari i agjencisë “Globus Travel”, i cili është shoqëruar nga policia për t’u marrë në pyetje, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rolin e secilit prej personave të pranishëm në mjetin lundrues.
Burime bëjnë me dije se jahti u ndoq fillimisht nga Policia Kufitare në det. Gjatë tentativës për t’u larguar, mjeti lundrues dyshohet se ka fikur dritat e kabinës me synimin për të humbur gjurmët dhe për t’iu shmangur ndjekjes.
Në operacion u angazhuan edhe efektivët e forcës speciale “Delta”, të cilët bënë të mundur ndalimin e jahtit pranë plazhit të Livadhit. Më pas, mjeti u shoqërua drejt molit të Porto Palermos, ku po kryhen të gjitha veprimet procedurale.
Personat që ndodheshin në bord pritet të merren në pyetje nga grupi hetimor. Deri në këtë fazë, autoritetet po verifikojnë rrethanat e ngjarjes dhe dyshimet për përdorimin e armës së zjarrit, ndërsa nuk është bërë ende e ditur nëse do të ngrihen akuza ndaj ndonjë prej të shoqëruarve.